“Jemi të paktë ata ish studentë që s’na vrau ‘plumbi’ i Berishës”, Bejko: PD është monopolizuar, duhet të ndahet nga e shkuara

schedule13:38 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 13:38 - 8 Dhjetor, 2023

Demokrati Roland Bejko, në një intervistë për “Tirana Live”, duke përkujtuar lëvizjen studentore të Dhjetorit që solli rënien e regjimit komunist, theksoi se PD nuk e gëzon sot mbështetjen popullore që mori në atë kohë. Ai theksoi se kjo ka ardhur për shkak të etjes së madhe për pushtet të Sali Berishës.

“PD u krijua në dhjetor të ’90-ës falë Lëvizjes Studentore, me mbështetjen e intelektualëve dhe krijoi një bazë të gjerë popullore. PD ishte materializimi i gjithë aspiratës dhe vuajtjeve të atyre shqiptarëve që ishin anti regjim. PD ishte aspiratë e asaj klase elitare që komunizmi e shembi, burgosi dhe persekutoi. PD pati një mbështetje të madhe popullore, e cila u materializua me votën masive të 1992-it. Deri më sot, PD është reduktuar në vota për shkak të qeverisjes së keqe dhe opsioneve që ka pasur. Dhe jemi në ditën kur edhe më e keqja ka mbërritur pasi PD është ndarë në disa pjesë falë etjes për pushtet të ish kryetarit, Sali Berisha.”, theksoi Bejko.

Sipas tij, PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha kërkon që të ndahet nga e shkuara dhe të ndërtojë një të ardhme të re larg atyre që e lidhin fatin me atë të Berishës.

“Janë me qindra ish studentë që e meritonin të ishin sot në krye të politikës shqiptare. Demokracia dhe Shqipëria do të ishte më mirë nëse drejtimi i PD s’do të ishte monopolizuar. Ne jemi nga ata pak studentë që kemi mbijetuar, nuk na vrau plumbi metaforik i Berishës. Kemi një fjalë dhe mundësi të shprehemi por janë qindra të tjerë të asaj periudhe që nuk gjejmë dot të zhvillojmë idetë e tyre politike. PD e drejtuar nga Basha është partia e cila sot mundohet të ndahet nga e shkuara dhe të ndërtojë një të ardhme me një kontratë të re me elektoratin shqiptar dhe jo me militatët e verbër dhe që e kanë lidhur fatin e tyre me atë të Berishës”, shtoi Bejko./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!