“Jemi të interesuar edhe për Shqipërinë”/ Ambasadori Smith: Britania mund të luajë rol të rëndësishëm në familjen evropiane

schedule20:04 - 18 Korrik, 2024

schedule 20:04 - 18 Korrik, 2024

Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King Smith në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, theksoi se Shqipëria vitet e fundit është përfshirë nga ngjarje interesante.

Ai më tej foli edhe për qëndrimin e ri të laburistëve në Europë, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar mund të luajë rol të rëndësishëm si anëtar kyç i familjes evropiane.

Gjatë intervistës, shtoi se pas shumë vitesh Partia Laburiste ka marrë përsëri pushtetin dhe ka përcaktuar një program shumë ambicioz ndryshimi.

Pjesë nga intervista:

Pyetje: Z.Ambasador gjatë këtyre viteve që ju keni qenë në Tiranë kemi qenë në disa në intervista në momente të rëndësishme, shumë ngjarje kanë ndodhur gjatë këtyre viteve qoftë në Shqipëri, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, dhe në Britani. Po e nis nga një zhvillim interesant pasi është nga herët e para të themi që Mbreti Karl mban fjalimin e tij në parlamentin britanik. Çfarë do të thotë kjo për ju, çfarë pasojash do ketë për ne, pasi fjalimi i Mbretit është edhe programi i qeverisë së re Laburiste?

Ambasadori britanik, Alastair King Smith: Jam realisht i lumtur me këtë periudhë kaq interesante në Shqipëri, sepse është fare e qartë që ka pasur shumë ngjarje interesante gjatë tre viteve të fundit. Kur pamë ceremoninë shtetërore në Parlament ku Mbreti lexon përparësitë e qeverisë dhe programin legjislativ që do të përcaktohet me të dy dhomat e Parlamentit të bashkuara, keni vënë re edhe të gjithë pjesën ceremoniale që organizojmë. Mendojmë se ky është pushtet i “butë”, shumë i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar, por është edhe moment i rëndësishëm, sepse pas shumë vitesh Partia Laburiste ka marrë përsëri pushtetin dhe kanë përcaktuar një program shumë ambicioz ndryshimi. Tanimë, jemi në fazën e përcaktimit përfundimtar të këtij programi. Siç mund ta keni parë, ata kanë përcaktuar zhvillimin dhe rritjen ekonomike jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, por edhe në nivel ndërkombëtar, si përparësi kryesore. Do të vijë puna në fushën e sigurisë, por duke u përqendruar edhe tek siguria e kufijve me idenë e përmirësimit të fuqishëm të këtij sistemi. Pastaj, në kuadrin e rifreskimit të lidhjeve ndërkombëtare, u fol për një rinisje me Evropën dhe në këtë kuadër, këtë javë po organizohet Komuniteti Politik Evropian, ku marrin pjesë të gjithë udhëheqësit evropianë dhe Mbreti organizon pritje për ta në Londër sonte.

Pyetje: Është shumë interesant qëndrimi i ri që laburistët po hedhin mbi Europën, pasi ju e dini nga viti 2016 kur britanikët votuan, por brexit, nuk është se nuk ka patur herë pas herë ide dhe mendime që ndoshta refendumi duhet mbajtur edhe një herë, dhe pikërisht një qëndrim i tillë, rihodhi Britaninë e Madhe në zgjedhjet ku Boris Johnson fitoi shumë thellë, ndërkohë z.Starmer duket se ka një qëndrim më realist sa i përket raporteve me Europën. Por nuk bëhet fjalë apo jo për një rikthim të Britanisë së Madhe në BE ?

Ambasadori britanik Alastair King Smith: Qeveria e ka shprehur shumë qartë se vendimi i marrë ishte që të dilnim nga Bashkimi Evropian dhe ky është qëndrimi edhe i Qeverisë së Re, njësoj si qeveritë e mëparshme. Normalisht, ajo çka dëshirojmë janë marrëdhënie shumë të ngushta me Institucionet Evropiane, por edhe me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe me Evropën e gjerë, dhe besojmë se ky është element shumë i rëndësishëm. Besojmë se Mbretëria e Bashkuar mund të luajë rol të rëndësishëm si anëtar kyç i familjes evropiane. Dhe është e vërtetë që Bashkimi Evropian përbën një grup dimensionesh, por ne jemi të interesuar për qytetarët në mbarë kontinentin, përfshirë Shqipërinë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!