Arbitri është një hallkë e rëndësishme e futbollit shqiptar. Ilir Shulku, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, në emisionin Pressing në ABC News e ka komentuar gjerë e gjatë çështjen e gjykimit, pse nuk bëhen publikë emrat e arbitrave para ndeshjes, dënimet që merren dhe pse nuk ka nga 6 arbitra në sfidat e Superiores.
“Në çdo javë ka komisione që gjykojnë sektorët përkatës. Shikohen rastet dhe dënohen sipas gabimeve të bëra. Ju nuk keni dijeni sa pezullohen. Çdo javë ka pasur. Kampionati i sivjetshëm është shumë i mirë sa i takon gjykimeve, përveç javës së 14-të. Ka pasur probleme në Kategorinë e Parë dhe në Superiore. Komisionet kanë marrë masa”.
“Javët e tjera kanë qenë korrekte. Jam i bindur në këtë që them, nuk ka asnjë ekip që të ketë marrë penalizime nga gabimet e arbitrave. Ka pasur gabime. Është gabuar edhe në finale Champions League, që janë në nivel shumë më të lartë në çdo aspekt. Nuk them që s’ka pasur gabime. Tani fati i keq që i ka qëlluar Shkëmbit, por gabimet janë pjesë e garës. Sikurse pëson, edhe përfiton në ndonjë rast. Nuk e kam për Shkëmbin konkretisht”.
“E para është çështje kostosh. Ka të bëjë edhe burimet njerëzore. Nuk kemi aq arbitra të nivelit të lartë për të përballuar pesë ndeshjet e Superiores. Duket sikur janë pak, por jo. Nuk mund të nënvlerësohen edhe kategoritë e tjera. Kostot financiare të zyrtarëve të ndeshjes i paguan FSHF, për çdo kategori. Pa diskutim që është edhe kosto”.
“Pse nuk bëhen publik emrat e arbitrave? Nuk jemi Serie A, jemi Shqipëria. Nuk ka një mur të madh për emrat e arbitrave. Klubet i mësojnë një ditë para emrat e tyre, përmes sistemit Comet. Mirë është të mos e dijë asnjë klub. E thashë, jemi akoma Shqipëria. Kur arbitrat gabojnë, atëherë dënohen. Mund të ketë raste ndryshimi arbitrash, për arsye reale. Ndonjë sëmundje, dëmtim”.
“Të padëshirueshmit e klubeve? Ka pasur raste kur një arbitër ka gabuar dhe klubi ka bërë kërkesë. Sektori i arbitrave e ka parë të arsyeshme që në një periudhë të caktuar të mos e çojë atë arbitër të gjykojë klubin që ka ankuar”. /abcnews.al