Dje u luajt derbi i parë i kryeqytetit. Beteja mes Tiranës dhe Partizanit përfundoi me shifrat 0-0, me të dy skuadrat, që u treguan të kujdesshme dhe nuk rrezikuan shumë. Pas ndeshjes për Panorama Sport foli drejtori i të kuqve, Olsi Rama.
Sipas tij barazimi ishte i drejtë dhe në lidhje me gjyqtarin shprehet se nuk ndikoi në rezultat aq sa fusha e “Air Albania”.
VENDOSJA – “Terreni nuk na la të dalim në lojën tonë. Një barazim ishte rezultat i drejtë, do të ishte më bukur të dilte një barazim me gola. Nuk jam trajneri dhe nuk më takon mua të shikoj vendosjen e lojtarëve në fushën e lojës. U duk se maksimumi për sot, ishte barazimi”.
ARBITRIMI – “Jemi bërë si puna e dasmorëve që shkojnë në dasmë për të parë vetëm fishekzjarrët. Ishte një rast i diskutueshëm, Muçi kërkoi kontakt dhe u hodh përpara me kontaktin me Asanin. Unë kam qenë kritik me arbitrat në shumë pak raste. Përpara se të merremi me fishekzjarrët, të merremi me mbarëvajtjen e lojës.
Torasa goditi me bërryl lart Belicën, Najdovski ndërhyri ndaj Kardozos, që sipas UEFA-s dhe FIFA-s, një ndërhyrje nga mbrapa me këmbën e ngritur është i kuq. I pashë të gjithë komentet, ishin vetëm për Muçin. Në përgjithësi ishte një gjykim, që nuk ndikoi shumë te rezultati. Më për keq ndikoi fusha”, u shpreh Rama. /abcnews.al