Jeff Bezos premton shumën marramendëse për të shpëtuar mjedisin

schedule10:10 / 18/02/2020

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe pronari i Washington Post, njoftoi se do të dhurojë 10 miliard dollar për të shpëtuar mjedisin. Lajmi vjen më pak se një muaji pasi Amazon kërcënoi të pushonte nga puna punonjësit që flisnin për rolin e kompanisë në përkeqësimin e krizës klimatike.

Bezos Earth Fund do të nisë shpërndarjen e fondeve këtë verë.

“Dua të punoj përkrah të tjerëve për të amplifikuar mënyrat që funksionojnë dhe për të gjetur mënyra të reja për të mposhtur impaktin shkatërrues që ka pasur ndryshimi i klimës në planetin që quajmë të gjithë shtëpi,” tha Bezos në një postim në Instagram.

 

“Kjo iniciativë do të financojë shkencëtarë, aktivistë, organizata jo-qeveritare – çdo përpjekje për të ruajtur dhe mbrojtur natyrën. Ne mund ta shpëtojmë tokën. Ama duhet të përpiqemi të gjithë, kompanitë e mëdha, kompanitë e vogla, shtetet, organizatat botërore dhe individët.

Njoftimi bie në kundërshtim me veprimet e Amazon kundrejt punonjësve që folën publikisht për krizën klimatike. Në janar, The Guardian zbuloi se një sërë punonjësish që kërkuan njëfarë iniciative nga kompania për të luftuar ndryshimet në klimë, u kërcënuan me pushim nga puna nëse nuk heshtnin.

Bezos është njeriu më i pasur në botë me një pasuri të vlerësuar rreth 129.9 miliardë dollarë./abcnews.al

schedule10:10 / 18/02/2020