Jean-Claude Juncker: Mos mendoni se largimi i Mbretërisë së Bashkuar nuk do të ndodhë

schedule19:25 - 8 Janar, 2018

schedule 19:25 - 8 Janar, 2018

Kreu i Komisionit Europian, Zhan Klod-Junker ka qartësuar edhe njëherë se largimi i Britanisë nga Unioni do të ndodhë. Ndërkohë, Brukseli po mendon shtimin e taksave, për të mbuluar hendekun në buxhetin e BE-së pas “Brexit”.

Shefi i Komisionit Europian, Zhan Klod-Junker thotë se beson se “Brexit” do të ndodhë dhe BE duhet të trajtojë mungesën e buxhetit të saj. “Mos besoni ata që thonë se nuk do të ndodhë dhe se njerëzit në Britani të Madhe e kanë kuptuar gabimin e tyre. Unë nuk mendoj se ky do të jetë rasti”, tha ai në një konferencë në Bruksel. Komisioneri i buxhetit të BE-së tha se largimi i Mbretërisë së Bashkuar do të linte një boshllëk prej rreth 12-13 miliardë euro.

Largimi përfundimtar i Londrës nga Unioni është vendosur të bëhet në mars të 2019.
Komisioneri i Buxhetit Günther Oettinger tha se hendeku i buxhetit do të duhej të mbyllet me shkurtime të shpenzimeve prej 50% dhe me 50% të ardhura nga fondet e reja. Ai sugjeroi një taksë në mbarë Europën për produktet plastike, si një burim i të ardhurave shtesë.

Komisioni do të publikojë një propozim në maj të këtij viti dhe i ka kërkuar krerëve të BE-së të bien dakord për një marrëveshje buxhetore deri në maj 2019. Ndërkohë, kjo deklaratë e kreut të Komisionit Europian vjen si përgjigje ndaj kreut të Liberal Demokratëve Vince Cable dhe ish-kryeministrit Toni Bler, të cilët kryesojnë argumentet se procesi “Brexit” mund të zhbëhet përsëri. Ata mendojnë se procesi i largimit nga Unioni mund të anullohet ndoshta duke mbajtur një referendum të ri mbi çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet mes Londrës dhe Brukselit./abcnews.al