Arratia e 52-vjeçarit Ardian Narkaj të kërkuar për vrasjen e dy personave mori fund mbrëmë, por me disa plagë në trup. Ai ishte në listën e personave të shumëkërkuar i dënuar me 21 vite burg për krimin në 2008, por lëvizte i lirë dhe i qetë, ndërsa mbrëmë u përball me shtetin. Nuk pranoi që të dorëzohej duke hapur zjarr kundër RENEA-s, që kishte shkuar për ta prangosur. Efektivët u përgjigjën me zjarr duke e plagosur rëndë, ndërsa më pas e dërguan në spitalin e “Traumës” në Tiranë për mjekim të specializuar.
Vrasja e dyfishtë në 2008
Ardian Narkaj u dënua nga gjykata për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 2008 në Malësinë e Madhe. Ngjarja ndodhi në fshatin Bratosh, ku viktimë mbetën Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota. Krimi i dyfishtë ndodhi gjatë kohës kur dy viktimat ishin persona të shpallur në kërkim nga policia për disa vepra të rënda penale. Gazetari i “ABC” Simon Shkreli raporton se gjithçka mes palëve nisi pasi Narkaj pretendonte se Ulaj dhe Shota i kishin ngacmuar vajzën.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 7 majit të vitit 2008 në fshatin Bratosh të Malësisë së Madhe. Dy të rinjtë u qëlluan me breshëri arme zjarri, duke vdekur në vend, ndërsa i plagosur ngeli edhe vetë Ardian Narkaj. I mbijetuari ishte dëshmitari kyç i ngjarjes, i cili më vonë rezultoi të ishte dhe autori i krimit të dyfishtë. Pasi qëndroi disa muaj në burg, Apeli e liroi me kusht, vendimi u ankimua, por Narkaj u arratis në kohën që gjykata e shpalli fajtor për vrasjen e dyfishtë.
Por çfarë deklaroi Ardian Narkaj në gjykatë?
Para gjykatës përpara se Apeli ta lironte me kusht, Ardian Narkaj largoi përgjegjësinë nga vetja duke mos pranuar krimin, por faktet ishin kundër tij. “Natën e ngjarjes nuk isha i armatosur. Tonin Ulaj dhe Gjergj Shota më akuzuan se kisha spiunuar në polici për një ngjarje të ndodhur në zonën e tyre. Këto akuza kishin ardhur pasi Gjekë Narkaj kishte nxjerrë një thashethem se Ardian Narkaj kishte qenë spiuni” është shprehur asokohe ai, duke kërkuar takim për sqarim në lokalin e fshatit, që përfundoi me përdorimin e armëve duke lënë duke të vdekur. db/Abcnews.al