Jazexhi: Arsyet e thirrjeve fetare në stadium ishin hoxhallarët

schedule23:11 - 31 Maj, 2019

schedule 23:11 - 31 Maj, 2019

Natën e sotme në Provokacija me Mustafa Nanon ka qenë i ftuar Olsi Jazexhi, historian, për të folur në lidhje me islamin në Shqipëri. Mustafa Nano e ka pyetur Jazexhiun në lidhje me një ngjarje të ditëve të fundit, ku disa tifozë të skuadrës së Tiranës, lëshuan disa thirrje fetare gjatë ndeshjes Laçi-Tirana, të cilat sipas Nanos, duhej mbajtur qëndrim. Jazexhi u përgjigj se kjo ngjarje nënkupton ringjalljen e fesë në Shqipëri, e cila demonstrohet në forma të ndryshme. Sipas Jazexhi tifozët e Tiranës, kanë shprehur ndjenjat e tyre ashtu siç ndodh me tifozët e tjerë në shumë vende të botës myslimane por edhe në perëndim. Diskutimi mes gazetarit Mustafa Nano dhe Olsi Jazexhi vazhdoi më tej në shpalosjen e gjesteve fetare të politikanëve shqiptarë. Sipas Jazexhi, kryeministri Rama është një prokatolik që ka emëruar vetëm katolikë në qeverinë e tij, por edhe Basha gjithashtu, është islamofob.

Mustafa Nano: Ne jemi në Shqipëri dhe ne jemi formuar si komb me natyrë shumë fetare dhe kjo do të thotë që për ta mbajtur gjallë duhet të jemi shumë të kujdesshëm, si mendoni, çfarë kuptimi ka?

Olsi Jazexhi: Unë i kam pyetur këta djem dhe u interesova, duke parë edhe monologun tuaj ku i kishe fyer këta djem dhe i quajte taleban, i takova mbrëmë dhe i pyeta se çfarë ndodhi me ta?

Mustafa Nano: Termi taleban ata i fyen?

Olsi Jazexhi: Termi taleban është një term orientalist, racist, duke i përshkruar këta tironsa, si taliban, pak a shumë në imagjinatën e publikut ne i barazojmë këta njerëz me armiq të Amerikës. Mënyra se si ju i etiketuat, pra si taleban, i morën këta djem, që shumë prej tyre kanë edhe kryqe në qafë, i bëre këta djem si djemtë e Mullah Omarit. Talebanët janë demonizuar nga propaganda amerikane gjatë luftës në afganistan. Të lidhim talebanët me një grup tifozësh, ishin në stadium dhe këta ngaqë janë besimtarë myslimanë, ishin falur në këto momente dhe tifozët e Laçit që janë katolikë, kishin filluar duke i sharë hoxhallarët, i kishin gjuajtur me gurë dhe madje më thanë që disa prej tyre u shoqëruan nga policia. Dhe këta si kundërpërgjigje bën thirrjet. Por çfarë ndodhi më pas si pasojë e kësaj videoje, një nga këta djemtë që drejton turmën është thirrur nga anti-terrori, është kërcënuar, i është thënë që prokuroria e gjykata kanë ngritur proces ndaj teje dhe se do e burgosnin, madje se kishin edhe urdhër nga ambasada amerikane që të të ndjekim. Këta djem nuk po bëjnë asnjë krim. Krim do bënin nëse do dhunonin njerëzit, tifozët po shprehin ndjenjat e tyre, në stadiume këto janë gjëra normale, tifozët e grupeve të ndryshme shajnë njëri-tjetrin.

Mustafa Nano: Nuk jemi te pjesa që shajnë njëri-tjetrin, jemi te pjesa që sentimentet fetare po i shprehin në shkallët e stadiumit duke parë një ndeshje. Unë nuk e di nëse ka bazë ligjore për arrestimin e atij djalit, por nëse është shoqëruar dhe është mbajtur atje me pa të drejtë, atëherë unë jam solidar me të. Por ama unë e shoh si një gjest të shëmtuar që komprometon gjithë unitetin tonë shqiptar, ku ka katolikë, ortodoks myslimane.

Olsi Jazexhi: Unë i pyeta pse e bëtë këtë reagim? Ata u përgjigjën se na shanë hoxhallarët, na shanë Shefqet Krasniqin, Elvis Naçin. Nëse këta në vend të Allahu Ekber të bënin si bën PS dhe PD, të thonin “Rroftë Amerika” e ti shanin tifozët e Laçit a do kishit patur ju të njëjtin reagim? A do i kishit quajtur ju këta djem “marinsa amerikanë”

Mustafa Nano: Shprehja “Rroftë Amerika është shprehje laike, unë e kam te fanatizmi fetar, kjo është çështja.

Olsi Jazexhi: Tifozët e Laçit kanë ardhur në Tiranë dhe kanë ngritur flamurin e kishës së Laçit në stadium, çfarë thoni për këtë?

Mustafa Nano: është gjest i shëmtuar, nuk e kam parë këtë. Unë i kam qortuar edhe ngritjen e kryqeve në kodra e male. Ne jetojmë në Shqipëri dhe shpalosja e emocioneve fetare është e gabuar, mendoj se duhet të jemi shumë të kujdesshëm./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!