Qeveria pritet të miratojë gjatë javës së ardhshme detajet në lidhje me instrumentin e Garancisë Sovrane për sektorin e industrisë përpunuese fason. Kjo gjë u bë e ditur nga Ministri i Financave, Ervin Mete, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Ministri Mete theksoi faktin se ky instrument në ndihmë në sektorit fason parashikohet të jetë me terma më pozitivë dhe lehtësues se sa garancitë sovrane që qeveria ka ndërmarrë në periudhën e pandemisë.
“Presim ta kalojmë në qeveri javën tjetër për të përcaktuar detajet, të cilat do të jenë ndoshta edhe më pozitive se sa kanë qenë garancitë sovrane në kohën e pandemisë. Po flasim për një garanci që mbulon rreth 70% marrjen e kredive nga sistemi bankar, për një marzh 1.5 apo 2%, për një “grace period” rreth 9 muaj dhe që besojmë se, qoftë për pjesën e investimeve, qoftë për pjesën e lëndës së parë që ka pasur nevojë sektori, do të jetë ndihmuese”, u shpreh Ministri.
Nga ana tjetër, Ministri vuri në dukje se sektori i industrisë përpunuese ka patur trajtim të përshpejtuar si në rastin e rimbursimit të TVSH-së, ashtu edhe sa i përket veprimeve me llogaritë e tyre. Mete theksoi se në përgjithësi, në fund të vitit të kaluar, niveli i rimbursimeve të prapambetura të TVSH-së për biznesit rezultoi zero.
“Për sektorë të veçantë, po i referohem përsëri fasonit meqenëse ka qenë në vëmendje, kemi pasur diskutim të frytshëm besoj për ndërveprimin që ata kanë me fiskun, qoftë me Tatimet, qoftë me Doganat, duke marrë angazhimin që të lehtësohen dhe thjeshtohen procedurat kur vjen puna te rimbursimi i TVSH-së apo në rastet e ndërveprimit për llogaritë e tyre. Duhet theksuar se vitin e kaluar kemi zero rimbursime TVSH-je të prapambetura në të gjithë sektorët e veçanërisht në këta që janë sektorë prioritarë kur vjen puna në trajtimin fiskal të tyre”, tha Ministri.
Gjatë fjalës së tij, Ministri risolli në vëmendje rritjen e vlerësimit të Shqipërisë nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit Standard&Poor’s, vlerësim që certifikon momentin e mirë ekonomik të vendit, ndikon në reputacionin e tij dhe aksesin në tregjet ndërkombëtare, në koston kreditimit dhe aksesin në financë, si edhe në tregun e brendshëm sa i përket kreditimit.
“Është certifikim i një trendi dhe ecurie afatgjatë që, duke parë tani edhe shifrat e fundit të investimeve të huaja, që praktikisht janë shifra rekord, kombinuar edhe me shifrat pozitive dhe në rritje të turizmit, japin besimin që ky trend pozitiv dhe ky konsolidim i financave publike, më tej qëndrueshmëria e këtij trendi, do të vazhdojë”, u shpreh Ministri.
Sipas Ministrit, është e rëndësishme momenti i mirë ekonomik që po kalon vendi të përkthehet në mbështetje të shtuar për sektorët e ekonomisë dhe për shtresa të caktuara, për një rritje ekonomike sa më gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, Ministri tha se rritja e mëtejshme e pagave që pritet të ndodhë së shpejti i përgjigjet pikërisht këtij synimi, ashtu si edhe lehtësitë fiskale që po diskutohen për disa nga kategoritë e të punësuarve./abcnews.al