Reshje shiu parashikohen në veri dhe jug të vendit deri në mes të javës . Sipas Institutit të Gjeoshkencave më intensive dhe të shoqëruara me shtrëngata ato pritet të jenë në kater qarqe.
“Problematik do të mbetet qarku i Shkodrës ku reshjet pritet të jenë shumë intensive përgjatë këtyre dy ditëve, ndërsa në qarqet Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet parashikohen lokalisht deri në intensive. Sa i takon qarqeve Dibër, Durrës dhe Elbasan pritet që reshjet të jenë mesatare dhe lokalisht pritet të shkojnë deri në intensive.”
Reshjet parashikohet të sjellin rritje të niveli të lumenjve Drin, Bunë, Mat, Vjosë dhe liqenit të Shkodrës duke rrezikuar përmbytje në zonat përreth.
“Do të jenë rritje që do të vijnë menjëherë gjatë këtyre ditëve dhe pritet të ketë dhe problematika kryesisht në qarqet Shkodra, Kukësi, Gjirokastra dhe Vlora, përshkak të intensitetit të shtuar të reshjeve, pritet që të ketë dhe problematika në zonat urbane të këtyre qarqeve ku pritet të ketë vërshime të shpejta të ujit. Gjithashtu problematika pritet të shfaqen dhe në zonat malore ku kemi daljen e përrenjëve të vegjël apo sa i takon rrëshqitjeve të dherave.”
Rënie e intensitetit të reshjeve meteorologët parashikojnë të mërkurën. Të enjten zonat malore pritet të përfshihen nga dëbora ku problematike do të jenë ngricat në rrugë. Ndërkohë temperaturat e ajrit parashikohet të bien me rreth pesë gradë në të gjithë vendin.
“Do të kemi dhe reshje të dobta të dëborës përgjatë mëngjesit të ditës së enjte, ndërsa në pjesën tjetër të territorit do te kemi ndërprerje të reshjeve të shiut dhe ulje të temperaturave. Në zonat e ulëta ku përfshihet dhe kryeqyteti pritet të shënojnë deri në shtatë gradë ndërsa në zonat malor do të zbresin në zero dhe do të luhaten rreth -3 dhe -4 gradë.”
Era do të vijojë të fryjë me intensitet pothuajse në të gjithë territorin këtë javë. Problematika prej saj meteorologët parashikojnë në bregdet dhe në zonat malore ku në momente të caktuara pritet të fryjë shumë e fortë./abcnews.al


