TIRANË- Pak ditë më parë u organizua ceremonia e hapjes së Javës Globale të Parasë 2025, iniciativë e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi edukimin financiar dhe aftësitë për menaxhimin e financave personale tek të rinjtë.
Meri Papavangjeli, nga departamenti i kërkimit në Bankën e Shqipërisë, e ftuar në “Money Report” në ABC News foli për rëndësinë e edukimit financiar, kryesisht tek të rinjtë.
Ajo theksoi se kjo javës synon të rrisë nivelin e dijeve tek qytetarët, por kryesisht të rinjtë, që të jenë të aftë të marrin vendime të drejta dhe në dobi të tyre.
“Kjo nismë synon që të nxisë një qasje kritike te të rinjtë dhe fëmijëve ndaj burimeve të ndryshme të informacionit, përpara se të marrin vendime financiare. Synon të nxisë një qëndrim kritik dhe një vendimmarrje të drejtë para se të vendosin të investojnë kursimet dhe paratë e tyre. Po ashtu që të mos bie pre mashtrimit online apo të mos bien pre e ndonjë sulmi kibernetik. Banka e Shqipërisë ka futur edhe lëndë në shkollat e mesme”, tha ajo.
Ajo theksoi se nga vrojtimi që ka bërë Banka e Shqipërisë, rezulton se qytetarët kanë një nivel dijeje të kënaqshme sa i takon fushës financiare.
“Individët zotërojnë 59% e njohurive financiare. Ka një rritje të fortë të pagesave digjitale”, tha ajo.
Zonja Papavangjeli foli edhe për përfshirjen e Shqipërisë në SEPA dhe efektet që do ketë për qytetarët dhe ekonominë në tërësi.
“Do të sjellin kursime në vitin e parë në shifrën e 20 milionë eurove. Do ketë shkëmbime të rritura tregtare dhe do ketë investime të huaja dhe do ketë shumë përfitime në shumë aspekte”, tha ajo./abcnews.al