Java e UEFA Grassroots, mbi 100 fëmijë argëtohen në festivalin e futbollit të organizuar nga FSHF

schedule16:56 - 26 Shtator, 2024

schedule 16:56 - 26 Shtator, 2024

Në kuadër të javës së “Grassroots”, që po festohet në të gjithë Europën, Federata e Futbollit organizoi një festival futbolli me ekipet e Shoqatës Rajonale të Tiranës që i përkasin grupmoshës U-7.

Nën kujdesin e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë dhe Drejtorisë Teknike të FSHF-së, rreth 100 fëmijë mbërritën sot në “Shtëpinë e Futbollit”, të cilët u argëtuan me njëri-tjetrin duke luajtur futboll dhe duke zhvilluar ushtrime të ndryshme.

Prioriteti i Federatës së Futbollit është mbështetja dhe zhvillimi i futbollit të fëmijëve dhe ky festival synon pikërisht që të ndihmojë në masivizimin e futbollit dhe t’i afrojë sa më shumë ato me lojën më të bukur në botë. Ky është edhe objektivi i këtij festivali, që të sensibilizojë sa më shumë fëmijë që t’i bashkohen futbollit.

Drejtori Teknik i SHRFT, Igli Mumajesi tha se ky nuk do të jetë festivali i vetëm që do të zhvillohet nga FSHF dhe Shoqata e Futbollit të Tiranës, por do të ketë edhe festivale të tjera në vijim. “Nga të gjithë aktivitetet që FSHF zhvillon me fëmijët dhe nga takimet që kemi pasur me Drejtorinë Teknike të FSHF, kemi vendosur që të zhvillojmë një festival futbolli, që është i pari, por që do të pasohet edhe nga festivale të tjera. Ne si SHFRT po zhvillojmë këtë festival sot sepse përkon edhe me javën e Grassroots të UEFA-s. Është një festival që nuk është thjesht aktivitet për fëmijët, por ka si synim të prezantojë dhe të pilotojë edhe sistemin e ri që do të zhvillohet kampionati i ri për moshat U-7” – tha Drejtori Teknik i SHFRT-së, Igli Mumajesi.

Drejtoria Teknike e FSHF-së synon që ky festival të organizohet nga të gjitha Shoqatatat Rajonale në vendin tonë. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!