Java e parasë/ Tanku: Fokusi, ndërveprimi financiar online. Civici: Risku që të biesh pre e mashtrimeve është i madh

schedule20:19 - 22 Mars, 2024

schedule 20:19 - 22 Mars, 2024

Këtë të premte në emisionin “Sheshi i Dollarit” me Genta Dobrën po diskutohet për Javën e Parasë dhe rëndësinë e edukimit financiar. Altin Tanku, drejtor i Kërkimeve në Bankën e Shqipërisë thotë se fokusi është vënë tek siguria e ndërveprimit financiar online, që po gjen gjithnjë e më shumë përdorim.

“Fokusi është mbi sigurinë e ndërveprimit financiar në fushën dixhitale. Ashtu siç kujdesemi që t’i mbrojmë leket në portofol, të njëjtin kujdes duhet të kemi edhe në transaksionet online. Përderisa e shtrojmë aktivitetin financiar, ekonomik dhe monetar edhe në hapësirat dixhitale, duke ndërvepruar me bankën online dhe kripto asetet, është e rëndësishme që të tregojmë kujdes edhe nga mashtrimet financiare. E para, në drejtim të çfarë konsumojmë, cilat janë shërbimet financiare që konsumojmë. Të jemi të sigurt që të jenë të licensuara nga një autoritetet, të jenë të kontrolluara dhe të mbikëqyrura nga këto autoritete. Nga ana tjetër, të kemi kujdes të madh në ndërveprimin financiar online në mënyrën se si e shpërndajmë dhe përdorim informacionin. Pra, të dhënat personale, passëordet, numrat e llogarive. Nëse nuk jemi të kujdesshëm, lejojmë dikë që të aksesojë këtë informacion dhe vëmë veten në rrezik.“, u shpreh Tanku.

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici thotë se me përdorimin e gjithnjë e më të shumtë të transaksioneve online, rrisqet janë të mëdha.

“Do të thoja se kur flitet për edukimin financiar, duhet të kemi parasysh tre aspekte të rëndësishme që  çdo njeri përballet gjatë jetës. Në radhë të parë është përdorimi i parasë si investim ose financim që kërkon kulturë dhe tërësi njohurish të domosdoshme që ta përdorësh në mënyrë të suksesshme paranë si financim të ndryshëm. Aspekti kryesor i edukimit me paranë, ka të bëjë me mënyrën e përdorimit të parasë. Po nuk more të gjithë dijen e nevojshme, rrezikon ta përdorësh keq dhe të kthehet në një element negativ. Elementi i dytë ka të bëjë me marrëdhëniet me institucionet ku lë paratë e tua dhe merr para për vete, që nga marrëdhënia me bankat, me kredinë, me kartën, ATM, me protofolin, në çfarë mënyre administron paratë e tua në raport me këto institucione. Elementi i tretë ka të bëjë me mënyrën e vlerësimit që ke me paratë, për mënyrën se si fitohet dhe harxhohet, çfarë marrëdhënie ke me konsumin, me kursimet e tua. Kur flasim për edukimin monetar, duhet parë që nga aspekti psikologjik, mentaliteti dhe ato formale në lidhje me mënyrat e përdorimit të parave. Është normale që tani përveç parasë letër që ne përdorim, të paktën po bëhet shumë e përdorshme paraja elektronike dhe tani ka dalë edhe paraja dixhitale që janë kriptomonedhat. Cështja e marrëdhënieve dhe përballjeve me këto forma rrit rriskun që t’i shpërdorosh, t’i humbësh, të biesh viktimë e mashtrimeve dhe siç është ana tjetër, që nëse ke kulturën dhe informacionin e duhur, mund t’i përdorësh shumë mirë.“, u shpreh Civici.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!