Kuvendi nuk u mblodh sot në seancë plenare dhe një javë në muaj do të jetë pushim, kjo pasi rregullorja ka ndryshuar, dhe i detyron deputetët që javën e katërt të çdo muaji ta kalojnë në zonë, me banorët që përfaqësojnë. Të hënën do të zhvillohet një seancë parlamentare e posaçme për të diskutuar mbi problemet e zgjedhësve.
Kjo e enjten e gjen oborrin e parlamentit pa makinat luksoze apo parakalimet përpara kamerave të deputetëve. Nuk ka seancë plenare. Kështu do të jetë në fakt një prej të enjteve të çdo muaji. Rregullorja e Kuvendit ka ndryshuar dhe java e katërt e çdo muaji nuk do të ketë as seancë parlamentare e as komisione, por ligjvënësit duhet të zhvillojnë gjithë javën takime me banorët e zonave që përfaqësojnë.
Në përfundim të kësaj jave të gjelbër siç e quajnë deputetët, menjëherë të hënën pasdite do të zhvillohet një seancë e posaçme parlamentare. Në të deputetët do të diskutojnë për 4 orë, mbi problemet që kanë evidentuar gjatë takimeve me zgjedhësit.
Të hënën e ardhshme do të zhvillohet një seancë e tillë në orën 5 pasdite, dhe meqë kjo javë e parë dedikuar zgjedhësve përkoi me tërmetet dhe përmbytjet, këto çështje do të jenë tema kryesore e debatit si nga mazhoranca edhe nga opozita e re./ABC News Albania 24/7