Java e 28-të në tre ditë, duele “zjarr” në Elbasan e Shkodër, Kukësi “shtegton” në Kamëz

schedule11:45 - 6 Prill, 2022

schedule 11:45 - 6 Prill, 2022

Skuadra do të zbresin që në fundjavë për të zhvilluar ndeshjet e javës së 28-të të kampionatit shqiptarë, javë e cila do të luhet në 3 ditë, nga e shtunë në të hënë.

6 skuadra do të zbresin në fushën e lojës ditën e shtunë. Gjithçka do të nisë me përballjen mes Kukësit dhe Egnatias, takim që edhe këtë herë do të shikojë verilindorët si “shtegtarë”, pasi “Kukës Arena” akoma nuk është gati. Kjo sfidë është vendosur të luhet në Kamëz në orën 13:45, me skuadrat që detyrim kanë 3 pikët.

Në orën 16:45 do të luhen edhe dy takimet e tjera të kësaj dite, ku Vllaznia do të presë në “Loro Boriçi” skuadrën e Laçit. Të dy skuadrat vijnë nga humbjet në përballjet e javës kaluar dhe përballë njëra-tjetrës, me kurbinasit që tashmë do të drejtohen nga Shpëtim Duro.

Ndërkohë takimi tjetër është ai mes Partizanit dhe Teutës që do të luhet në “Elbasan Arena”. Demat kërkojnë pikët për europën, ndërsa durrsakët pikë që të qëndrojnë larg zonës së mbijetesës.

Takimi mes Skënderbeut dhe Tiranës është parashikuar të luhet në Korçë, ku do të jetë edhe ndeshja e vetme e ditës së diel, me sfidën që nis në orën 16:45. Korçarët e Gegës do të synojnë surprizën ndaj bardhebluve kryesues.

Kjo javë do të mbyllet ditën e hënë me takimin e mbijetesës mes Dinamos dhe Kastriotit, sfidë e cila do të luhet po ashtu në “Elbasan Arena” ora 14:45. Një ndeshje shumë e rëndësishme mes dy ekipeve të cilët kërkojnë të shpëtojnë nga rënia, me krutanët që në 5 ndeshjet e fundit kanë 4 fitore dhe një barazim, ndërsa blutë kanë 4 humbje dhe një fitore.

Java e 28-të:

E shtunë

13:45 / Kukësi-Egnatia / Kamëz

16:45 / Vllaznia-Laçi / “Loro Boriçi”

16:45 / Partizani-Teuta / “Elbasan Arena:

E Diel

16:45 / Skënderbeu-Tirana / Korçë

E hënë

14:45 / Dinamo-Kastrioti / “Elbasan Arena” /f.a/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!