Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Java Botërore të Harmonisë Ndërfetare/ Begaj: E kemi trashëguar këtë bashkëjetesë dhe harmoni, ta ruajmë ndër breza

schedule14:00 - 3 Shkurt, 2026

schedule 14:00 - 3 Shkurt, 2026

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot një përfaqësi të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar, një organizatë e përbërë nga klerikë të 5 besimeve: mysliman, ortodoks, bektashi, katolik dhe të komunitetit të Vëllazërisë Ungjillore.

Takimi u zhvillua në kuadër të Javës Botërore të Harmonisë Ndërfetare. Gjatë bashkëbisedimit më klerikët, Kreu i Shtetit e vlerësoi këtë qendër të ngritur në Elbasan si model për përcjelljen e vlerave dhe virtytit, ndërsa theksoi aktivizimin e tyre përtej dallimeve të besimit në dobi të shoqërisë.

Presidenti i Republikës shprehu inkurajim ndaj aktiviteteve të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar me synim ruajtjen e  vlerës kombëtare të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit ndërfetar  nëpërmjet aktiviteteve, komunikimit, dialogut të gjallë, reagimit ndaj të gjitha formave të intolerancës dhe diskriminimit dhe përcjelljes së kapërcimit të sfidave përmes dialogut.



“Kush më shumë se sa ju e përfaqëson këtë harmoni që ne kemi,këtë mirëkuptim që kemi midis besimeve fetare të ndryshme dhe të bashkëpunimit. Për fatin e mirë, ne e kemi trashëguar këtëbashkëjetesë dhe harmoni, por detyra jonë është të punojmë që t’ua lëmë trashëgimi brezit të ri këtë komunikim dhe harmoni ndërfetare”, – u shpreh Kreu i Shtetit.

Gjatë takimit u theksua se Shqipëria ka qenë dhe mbetet një model i tolerancës fetare dhe marrëdhënia midis besimeve tëndryshme është vëllazërore, por kjo nuk duhet të merret si dhuratë, duhet të punohet me të rinjtë që kjo vlerë të trashëgohet.
“Gjatë vizitave të mia kam parë një shtim të pranisë së të rinjve në frekuentimin e objekteve të kultit, gjë që më bën të besoj se mesazhet e klerikëve kanë arritur tek ata dhe se ata kanë filluar të kuptojnë rëndësinë e shpirtërores në jetën e tyre” – nënvizoi Presidenti Begaj në këtë takim.

Kreu i Shtetit theksoi se do të jetë gjithnjë në krah të çdo veprimtarie apo organizate që përpiqet të ruajë, të edukojë e të promovojë vlera kombëtare, siç është ajo e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare dhe dijeve të dobishme për një ardhmëri edhe më të mirë të Shqipërisë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!