Jasir Asani: Shqipëria zgjedhja e parë! Rikthimi te Partizani? Atë punë kanë gazetat…

schedule23:38 - 17 Korrik, 2020

schedule 23:38 - 17 Korrik, 2020

Jasir Asani u largua në mes të sezonit nga Partizani dhe momentalisht është i huazuar tek AIK në Suedi. Kohët e fundit nuk ka pasur hapësira, edhe pse e nisi me gol. Sulmuesi anësor mund të rikthehet te Partizani, por dëshira është të qëndrojë në Suedi.

Në një intervistë për emisionin “Pit Stop” në Klan Macedonia, ai foli edhe lidhje me te ardhmen, por edhe për kombëtaren shqiptare dhe për përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut. “Gazetat atë pune kanë, të shkruajnë që do të kthehem.

Unë ia kam lënë në dorë Zotit dhe do ta bëj punën time maksimalisht, deri në fund të kontratës. Do t’i tregoj vlerat e mia që jam për këtu”, shprehet Asani, i cili më parë ka luajtur edhe për skuadrën e Vardar dhe Shkupit. Sulmuesi ka qenë pjesë e Shqipërisë U21 dhe kombëtarja kuqezi është zgjedhja e parë për të.

“Normalisht që kombëtarja shqiptare vijon të jetë objektivi im. Tani kam folur me menaxherin tim dhe shpejt do më ftojë kombëtarja, duhet vetëm që ndeshjet të shkojnë mirë këtu me AIK. Nëse do luaj titullar dhe do marrim rezultate, ftesa nga kombëtarja do të vijë”, shton Asani.

“Maqedonia e Veriut? Përse jo. Gjithsesi më shumë dëshirë kam të përfaqësoj Shqipërinë. Ka kohë për kombëtaren, për momentin jam i fokusuar tek AIK”, përfundon sulmuesi anësor, i cili sezonin e shkuar spikati në Superiore dhe doli kampion me Partizanin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!