Jashanica i Skënderbeut del pozitiv në doping

schedule15:42 - 2 Mars, 2018

schedule 15:42 - 2 Mars, 2018

Mbrojtësi i Skënderbeut, Bajram Jashanica, ka rezultuar pozitiv në një test antidoping gjatë një ndeshje të Europa Ligë. Por klubi korçar ka bërë të ditur se futbollisti ka marrë një substancë gjatë kurimit emergjent të alergjise akute dhe për këtë ka kërkuar edhe autorizim nga UEFA, por nuk e ka marrë.

Skënderbeu nuk gjen paqe. Lojtari i këtij ekipi, Bajram Jashanica, ka rezultuar pozitiv në një test antidopingu të kryer gjatë ndeshjes së Europa League me Young Boys, Shtatorin e kaluar. Wada, Agjencia Botërore e Anti-dopingut ka njoftuar ndërkohë në rrugë zyrtare si Skënderbeun ashtu dhe Federatën Shqiptare të Futbollit se në testet e kryera mbrojtësi ka rezultuar pozitiv ndaj substancës së njohur si “Prednisolut”. Ky steroid jepet vetëm me recetën e mjekut dhe përdoret gjerësisht për shërimin e inflamacioneve apo enjtjet pas goditjeve në pjesë të trupit, por bën pjesë në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia Botërore e Anti-dopingut.

Në një njoftim për shtyp, klubi i Skënderbeut sqaron se futbollisti, Bajram Jashanica, ka marrë substancë “Prednisolut” në Shtator të vitit të kaluar për shkak të një alergjie akute që kishte nevojë për trajtim të menjëhershëm. Pas kësaj, klubi korçar thotë se kërkoi një autorizim të përdorimit të kësaj substance nga Komisioni i Anti-Dopingut të UEFA-s, pasi kjo substancë ishte administruar në kushtet e urgjencës dhe në mirëbesim të plotë nga ana e lojtarit. Pavarësisht kërkeses së arsyetuar nga ana e klubit, organi administrativ i UEFA-s refuzoi lëshimin e autorizimit dhe si pasojë, ka çelur procedurë disiplinore. Klubi i Futbollit Skënderbeu shprehet në deklaratë se është i bindur në pafajësinë e plotë të futbollistit Bajram Jashanica dhe do të përdorë çdo resurs të mundshëm në mbrojtjen e integritetit dhe karrierës së tij.

Për Jashanicën, gjithsesi, ky është një problem serioz pasi mbrojtësi ishte një ndër futbollistët më të kuotuar të skuadrës korçare. Në një reagim për median vetë, Jashanica u shpreh se ka marrë njoftim dhe se po pret përgjigjen përfundimtare. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!