Julian Nagelsmann është trajneri më i ri në historinë e Bundesligës. 32-vjeçari u emërua trajner i parë i Hoffenheim me datë 27 tetor të vitit 2015. Ishte vetëm 28 vjeç, por ai shpëtoi ekipin nga rënia një kategori më poshtë dhe arriti të dërgojë Hoffenheim në fazën e grupeve të Champions League.
Në fillim të këtij sezoni mori drejtimin e Leipzig dhe po bën mirë edhe tek ekipi i ri. Nagelsmann ka treguar një sekret gjatë prononcimit përpara ndeshjes kundër Lyon në Champions.
Ai njihet si një maniak taktike dhe çdo detaj është i rëndësishëm për ekipin dhe lojtarët e tij. Për skemat mendon gjithmonë, madje edhe në gjumë.
“Shpesh frikësoj gruan time në mes të natës. Filloj e i jap udhëzime taktike ndonjë lojtari në mes të gjumit. Unë nuk kuptoj gjë. Gruaja, sigurisht e mërzitur dhe e shqetësuar, më tregon gjithçka mëngjesin e ardhshëm. Problemi është se diçka e tillë ndodh shpeshherë”, tregon duke buzëqeshur trajneri gjerman i Leipzig. /abcnews.al