Qeveria miratoi para pak ditësh VKM për konfiskimin e ndërtimeve pa leje në Tiranë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ftuar në emisionin “Log.” në ABC me gazetarin Ednri Xhafo ka sqaruar se si do të funksionojë konfiskimi në rast se është e pamundur të ekzekutohet vendimi i prishjes.
Veliaj: Lejet e kullave janë leje të këshillit kombëtar të territorit. Ne kemi përgjegjësi të ndara. Bashkia ka evidentuar lejet, kemi vënë gjobën, por bashkia nuk prish dot një pallat 27 katësh. Kemi një ligj që thotë nëse njëri çmendet dhe bën këtë, nëse është në pamundësi për ta prishur kjo do të konfiskohet, kontrolli mbi territorin i ka kaluar si kompetencë policisë së shtetit. Ne si bashki kemi vënë gjobë, kemi nxjerrë vendim prishje por është e pamundur. Si ndodh kjo? Do t’i marrim katet sipër për zyra shteti apo do t’i paguajë? Si merret kjo? Ka një VKM që e sqaron këtë.
Kryeministri Edi Rama para pak ditësh deklaroi se ndërtuesit blejnë prokurorët dhe gjyqtarët. Kryebashkiaku duke sjellë në studio një rast të asaj që deklaroi Rama, tha se ka gjyqtarë “Maskarenj” të cilët e dinë se nuk e kalojnë dot vettingun dhe për këtë arsye shkelin ligjin deri në afatin që i ka mbetur.
Veliaj: Unë e di se për çfarë flet kryeministri. Ti ke sot situata të çuditshme në këtë vend ku një ndërtues ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme në varreza dhe gjyqtari Avni Sejdi shkon jep masë sigurie. Për këta gjyqtarë e ka fjalën kryeministri, në këto raste ne i kemi kapur këta njerëz në flagrancë. Ti ke sot gjyqtarë mjeshtra. Ata e dinë që se kalojnë dot vettingun se janë maskarenj. Në pamundësi për të kaluar vettingun thotë unë edhe dy muaj jam sa të më vijë data, kap çfarë të kapësh. Kryeministri këtë ka adresuar./Abcnews.al/