Pas një sezoni tejet të suksseshëm, ku arritën të fitonin Superkupën dhe Kupën e Italisë, si dhe arritën të kapinin finalen e madhe të UEFA Champions League, mesfushori turk, Hakan Calhanoglu vendosi të rinovojë kontratën e tij me “zikaltërit” deri në vitin 2027.
Tashmë tejet i entuziasmuar për nisjen e sezonit të ri, “arkitekti” turk i mesfushës së Inter është shprehur për mediat, se pavarësisht sukseseve të arrira deri më tani, ai dhe shokët e tij të skuadrës do të vazhdojnë punën e tyre për fitimin e trofeve.
“Jam i lumtur që jemi kthyer sërish në stërvitje dhe gjithashtu jam i lumtur për rinovimin. Sepse jam shumë i lumtur këtu tek Inter. Është gjithmonë bukur të rikthehesh dhe shohësh shokët e skuadrës. Më kishte marrë malli për ta.
Jam përmirësuar shumë mendërisht, jam shumë i uritur për të fituar. Shokët më kanë ndihmuar gjithmonë. Kur të gjithë e ndihmojmë njëri-tjetrin, atëherë nuk ka shanse që rezultatet pozitive të mos vijnë. Shumë lojtarë janë larguar nga Interi, të tjerë kanë ardhur, por është bukur edhe kur sheh fytyra të reja. Mbushesh me më shumë ambicie.
Objektivat tona? Nuk ndryshojnë asnjëherë, ne duam të ndihmojmë lojtarët e rinj dhe të fitojmë sa më shumë trofe. Do të japim gjithçka kemi për të realizuar qëllimet e Inter”,- u shpreh 29-vjeçari turk. /i.m /abcnews.al