Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai thotë se është kërcënuar me jetë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Fetai u shpreh se kërcënimi në adresë të tij, në gjuhë maqedonase, erdhi pasi deklaroi që të hiqet kufiri prej 20 për qind të gjuhës shqipe në kushtetutën e RMV.
Sipas tij, kjo ishte fyese.
“Ishte në gjuhën maqedonas kërcënimi. Dhashë një deklaratë në lidhje me heqjen e definicionit 20 për qind të gjuhës shqipe, që nënkuptohet, në kushtetutën e vendit, sepse kemi thënë në vazhdimësi, para fushatës, për vite me radhë, por edhe tani në qeverisje, në momentin që hapet kushtetuta, ne do të bëjmë përpjekje maksimale për të mënjanuar këtë definicion që është fyes, i gjuhës sonë. Menjëherë, mbrapa mora një email kërcënues në emalin tim zyrtar, si zv.kryeministër i vendit, ku përveçse kërcënohem me plumb në kokë, marr edhe disa fyerje në bazë kombëtare, shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur e kështu me radhë. Është serioze, kërcënim me jetë, gjuhë e urrejtjes. Kam paraqitur rastin. Do i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund, të ketë përgjegjësi”, theksoi ai./abcnews.al