Ndërkohë që KQZ po diskuton për mandatin e Fredi Belerit, ky i fundit ka marrë fjalën duke thënë se është i qartë që mandati i tij si kryetar i Bashkisë së Himarës i ka mbaruar, por nuk do që zgjedhjet të mbahen në muajin gusht.
Ai ka theksuar se siç erdhi në mbledhjen e KQZ, tani mund të ishte duke bërë betimin dhe mund ta merrte lejen lidhur me këtë çështje.
Sakaq, Beleri ka theksuar që KQZ duhet t’i drejtohet Kushtetueses për personat që do të vijnë në krye të bashkisë Himarë, pasi nuk duhet që kjo situatë të vazhdojë në këtë mënyrë.
“Duket qartë që nuk ka bazë ligjore për shqyrtimin e sotëm. Dikush do të nxjerrë gështenjën nga zjarri me duart e KQZ. Institucioni që ju drejtoni është i vetmi institucion që ka ngritur vlerat e këtij shteti në kuadrin ligjor, pasi të gjitha institucionet e tjera janë bërë pjesë e padrejtësive që më janë bërë mua dhe banorëve të Himarës që më kanë votuar mua.
Këtë lejen që mora për të ardhur këtu, mund ta merrja për të bërë betimin tim. Ata që vendosën dhunimin e bashkisë së Himarës dhe qytetarëve duhet të vazhdojnë deri në fund, pasi unë duhet të betohem dhe të më shkarkojnë, ashtu siç thotë ligji dhe kushtetuta. Jam i qartë dhe unë që mandati si kryetar i bashkisë ka mbaruar, por unë flas sepse këta duan t’i bëjnë zgjedhjet kur të duan. Në një periudhë kur e gjithë bota bën pushime në mes të gushtit në Himarë, edhe është muaji kur nxjerrin të ardhura për të gjithë vitin. Pse duhen bërë zgjedhjet në këtë periudhë? Sepse kryetari aktual është subjekt i SPAK dhe gjysma e administratorëve gjithashtu. Unë do ju lutesha t’i drejtoheshit Kushtetueses për ata që do të vijnë, se duket qartë që do e bëjnë rrugë”, tha ai./abcnews.al