“Jam i lumtur te Sassuolo”, Kumbulla flet për herë të parë si “Zijeshil”: Le të fillojmë nga puna

schedule10:36 - 9 Shkurt, 2024

schedule 10:36 - 9 Shkurt, 2024

Dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar e la jashtë fushave për plot 252 ditë, mirëpo duket se “shtatlarti” shqiptar i mbrojtjes, Marash Kumbulla është gati për t’u rikthyer edhe më i fortë në “tapetin e gjelbërt”, kësaj here, në radhët e “Zijeshilëve” të Sassuolo, aty ku është i huazuar deri në fundin e këtij sezoni, pas mungesës së hapësirës te Roma e tij.

Këtë të premte, në prag-sfidës ndaj “Demave” të Torino, 24-vjeçari nga Mirdita ka bërë edhe prononcim e parë të tijin, për mediat e klubit, nga ku ka treguar prapaskenat e transferimit, në “Mapei Stadium”, ku nuk kanë munguar as vlerësimet e elozhe për trajnerin, Alessio Dionisi, si dhe shokët e tij të skuadrës, ndër ta edhe “ylli” i Kombëtares, Nedim Bajrami.

“Ndodhi shumë shpejt ardhja ime këtu te Sassuolo. Vetëm një ditë përpara se të kryeja vizitat mjekësore u lidh Sassuolo me emrin tim. Unë nuk pata asnjë hezitim apo mëdyshje. I thashë menjëherë agjentit im se doja të vija këtu. Dhe kështu ndodhi.

Bisedova me Bajramin, ai më tha se po më priste te Sassuolo. Tani jam shumë i lumtur. Kam gjetur një grup djemsh të gatshëm dhe me dëshirën për të luajtur e arritur rezultate pozitive.Gjeta gjithashtu një trajner tepër të karikuar dhe entuziast, dhe një ambient të qetë e të bashkuar. Renditja jonë nuk është e mirë, por me punë mund ta përmirësojmë situatën aktuale”, u shpreh 24-vjeçari nga Malësia e Madhe. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!