“Jam i kënaqur me djemtë”, Sylvinho: Tani të fillojmë përgatitjet për Italinë

schedule21:36 - 7 Qershor, 2024

schedule 21:36 - 7 Qershor, 2024

Ishte një fitore spektakolare, në sfidën e fundit përgatitore para nisjes së Kampionatit Evropian të futbollit. “Legjionarët” e Kombëtares sonë nuk kanë gabuar pasditen e kësaj të premteje, në “Haladas Sportkomplexum”, teksa kanë mundur me rezultatin bindës, 3 me 1, ndaj përfaqësueses së Azerbajxhanit.

Menjëherë pas kësaj fitoreje, tepër të rëndësishme nuk kishte si të mungonte një koment, nga “magjistari” i gjithë kësaj performance, tekniku Sylvinho, i cili në fjalën e tij për mediat, fillimisht ka lavdëruar “Legjionarët”, për performancën, gjatë kësaj minifaze përgatitore në prag, të Evropianit, të Gjermanisë.

Më tej, Sylvinho ceku pak edhe strategjinë që do të ndjekë, në sfidën e parë, ndaj Italisë, ku theksoi se gjithçka do të varet nga menaxhimi i lojtarëve, si dhe forma e tyre e më tej foli për dyshen e sulmit, Broja-Asani, të cilët pavarësisht se kanë bindur gjatë këtyre dy miqësoreve, qëndrimi i tyre për një kohë të gjatë jashtë fushave ka ndikuar jo pak.

“Sa i përket kësaj periudhe, unë jam i kënaqur. Jemi në fazë përgatitjesh. Kanë ardhur lojtarë me 50 ndeshje, të tjerë me 2 ndeshje. Por edhe lojtarë të dëmtuar. Të gjithë kanë bërë shumë mirë, rezultati nuk ka rëndësi.

Strategjia e lojës? Kjo periudhë nga tani e tutje do i dedikohet strategjisë së ndeshjes me Italinë. Deri tani kishte rëndësi puna dhe menaxhimi i lojtarëve, gjithashtu forma e tyre.

Formacioni titullar me Italinë? Nuk e di… Na presin 7 ditë shumë të rëndësishme për t’u stërvitur e punuar. Nuk mund të them nëse do e nisim me formacionin e sotëm ndaj Italisë, apo me një formacion tjetër.

Broja-Asani? T’i propozojmë presidentit të bëjmë një darkë me ish-lojtarët e Kombëtares. Broja dhe Asani vijnë me pak ndeshje. Asani nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare nga janari deri tani. Ka rëndësi për të të luajë dhe të kapë ritmin. Ai është stërvitur mirë, por nuk luan prej janarit, hiq miqësoret e marsit. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. E zëvendësova sepse donim të provonim diçka tjetër”,- u shpreh tekniku brazilian. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!