Jakup Krasniqi refuzon dekorimin nga Presidenti Thaçi

schedule12:15 - 17 Shkurt, 2018

schedule 12:15 - 17 Shkurt, 2018

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka refuzuar dekorimin me medaljen e pavarësisë nga ana e presidentit Hashim, duke thënë se ndihej i ofenduar nga kreu i shtetit.

Jakup Krasniqi, ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka refuzuar dekorimin me medaljen për dhjetëvjetorin e pavarësisë nga ana e presidentit Hashim Thaçi. Krasniqi do dekorohej pasi ka qenë pjesë e ish shtabit të përgjithshëm të UÇK-së. Me anë të një postimi në profiling e tij në Facebook, Krasniqi sqaron arsyet e këtij refuzimi:

“Veprimtarinë time politike nuk e kam nisur as për pozita, as për pasuri dhe as për dekorime. Kam nisur të merrem me politikë para 45 vitesh, thjesht se kam dashur lirinë e kombit tim dhe pse Atdheut tim ia kam pasur borxh që t’ia bëj shërbimin pa hile.”

Krasniqi akuzon kreun e shtetit se po bën pazare politike me mirënjohje e dekorata, dhe se veprimet e tij që nga viti 2010 e deri tani kanë qenë rrënuese për shtetin e kombin.

“Refuzoj të dekorohem nga Hashimi, i cili personalisht me ka fyer dhe jo vetëm në aferën “Pronto’”, por edhe pse pas mbledhjes së Rambujesë ai u ka thënë anëtarëve tjerë të SHP të UÇK-së se unë e ndonjë tjetër në atë Konferencë jemi bërë me “armiqtë e tij politikë”- LDK-në”.

Krasniqi përfundon postimin e tij duke thënë se i vjen keq që refuzimin e dekoratës po e bën publike në dhjetëvjetorin e shpalljes së pavarësisë./abcnews.al