“Izraelitët kanë të drejtë të kenë tokën e tyre”

schedule14:50 - 3 Prill, 2018

schedule 14:50 - 3 Prill, 2018

Trashëgimtari i fronit të Arabisë Saudite ka thënë se edhe izraelitët kanë të drejtë të kenë tokën e tyre dhe të jetojnë në paqe. Deklarata e tij vjen në një kohë kur Arabia nuk ka marrëdhënie diplomatike me shtetin hebre.

“Edhe izraelitët kanë të drejtë të kenë tokën e tyre”.

Këtë e ka thënë trashëgimtari i fronit saudit, Princi Mohammed bin Salman, disa ditë pas përleshjeve përgjatë kufirit me Rripin e Gazës, ku u vranë të paktën 17 demonstrues palestinezë.

“Unë besoj se çdo popull, kudo, ka të drejtën të jetojë paqësisht në vendin e tij. Besoj se palestinezët dhe izraelitët kanë të drejtën të kenë tokën e tyre”, tha trashëgimtari i fronit saudit në një intervistë me revistën Amerikane “Atlantik” gjatë turneut të tij të gjatë në Shtetet e Bashkuara.

“Por ne duhet të kemi një marrëveshje paqeje për të siguruar stabilitet për të gjithë dhe për të pasur marrëdhënie normale”, vazhdoi Mohammed bin Salman, vendi i të cilit, megjithëse nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Izraelin, ka filluar prej kohësh një proces gradual që synon përmirësimin e marrëdhënieve me Tel Avivin.

Princi pastaj theksoi se ai nuk kishte “kundërshtime fetare” për izraelitët që jetojnë së bashku me palestinezët, me kusht që vendi i shenjtë mysliman i Jerusalemit, xhamia el-Aksa, të mbrohet.

“Ne kemi shqetësime fetar për fatin e xhamisë së shenjtë në Jerusalem dhe të drejtat e popullit palestinez”, përfundoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!