Izraeli zotohet të eliminojë liderin e ri të Hamasit/ Netayahu: Jemi të përgatitur

schedule12:37 - 8 Gusht, 2024

schedule 12:37 - 8 Gusht, 2024

Izraeli është zotuar se do ta eliminojë Yahya Sinwar, udhëheqësin e ri të Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Sinwar besohet se ishte arkitekti i sulmit të 7 tetorit në Izrael, që nxiti luftën në Gazë. Emërimi i Sinwarit në krye të Hamasit erdhi pasi javën e kaluar, në Teheran u vra shefi politik i grupit, Ismail Haniyeh.

Irani ka fajësuar Izraelin për vrasjen dhe është zotuar se do të kundërpërgjigjet. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e Haniyehut. Duke folur gjatë vizitës në një bazë ushtarake, kryeministri izraelit, Benjamin Netayahu, tha se Izraeli është “i vendosur” që ta mbrojë veten.

“Ne jemi të përgatitur si në aspektin mbrojtës, ashtu edhe në atë sulmues”, tha ai.

Shefi i ushtrisë, gjenerallejtënant Herzi Halevi u zotua se “do ta gjejmë atë [Sinwarin] dhe do ta sulmojmë”. Ai shtoi se Izraeli do ta detyrojë Hamasin që të gjejë një zëvendësues për Yahya Sinwarin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se është në dorën e Sinwarit që të ndihmojë në arritjen e armëpushimit, duke theksuar se ai ka qenë dhe vazhdon të jetë personi kryesor që merr vendime në grupin radikal.

Ndërkaq, analistët kanë thënë se Sinwar mund të jetë më hezitues që të pajtohet për një armëpushim në Gazë dhe është më i afërt me Teheranin sesa Haniyehu.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau në veri të Izraelit afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë. Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë ajrore, tokësore dhe detare, që deri më tani ka lënë të vrarë pothuajse 40.000 persona, teksa palestinezët në Gazë po përballet edhe me një krizë të thellë humanitare.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!