Izraeli refuzon thirrjet e SHBA-së për armëpushim me Hezbollahun

schedule15:32 - 26 Shtator, 2024

schedule 15:32 - 26 Shtator, 2024

Izraeli ka refuzuar propozimet për armëpushim me Hezbollahun – grupin libanez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – nga aleatët, përfshirë nga Uashingtoni, të cilët kanë kërkuar ndalim të luftimeve për tri javë, në mënyrë që të mundohet të gjendet një zgjidhje diplomatike për të shmangur zgjerimin e luftës.

“Nuk do të ketë armëpushim në veri”, shkroi në X ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz. “Ne do të vazhdojmë luftën kundër organizatës terroriste Hezbollah me gjithë fuqinë tonë deri në fitore dhe kthimin e sigurt të banorëve veriorë në shtëpitë e tyre”.

Këto deklarata shuajnë shpresat për një zgjidhje të shpejtë, pasi kryeministri i Libanit, Najib Mikati, shprehu optimizëm se një armëpushim mund të arrihet shpejt në Liban, ku qindra mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të dhunës.

Liderët botërorë kanë shprehur shqetësim se konflikti – së bashku me luftën e Izraelit në Gazë kundër grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Hamas – mund të përshkallëzohet shpejt.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!