Izraeli përpiqet të frenojë shpërthimin e gripit të shpendëve pasi ngordhin 5000 shpendë

schedule07:26 - 29 Dhjetor, 2021

schedule 07:26 - 29 Dhjetor, 2021

Dhjetëra mijëra gjela deti po asgjësohen në Izrael pasi autoritetet po përpiqen që të mbajnë nën kontroll një epidemi të gripit të shpendëve që ka shpërthyer. Ministrja e Mjedisit Tamar Zandberg deklaroi se 5,000 shpendë migratorë kanë ngordhur në Rezervatin Natyror Hula. Fermerët vendas u detyruan gjithashtu të asgjësonin gjysmë milioni pula, duke shkaktuar frikën për një mungesë të mundshme vezësh. Deri më tani nuk është raportuar asnjë transmetim i virusit A(H5N1) te njerëzit raporton “BBC”.

Kryeministri Naftali Bennett u takua të hënën me këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare dhe ekspertë të tjerë për të diskutuar mbi masat që do të merren për të parandaluar që kjo gjë të ndodhi. Personave që kanë qenë në kontakt të ngushtë me zogjtë e infektuar në Izrael po u jepet trajtim parandalues. Megjithëse transmetimi nga zogjtë te njerëzit është një gjë e rrallë, që nga viti 2003, 456 persona janë infektuar me këtë virus në gjithë botën sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Imazhet e publikuara nga Autoriteti i Natyrës dhe Parqeve të Izraelit treguan roje me kostume mbrojtëse duke përdorur një gomone për të tërhequr shpendët e ngordhur nga liqeni Hula në mënyrë që të parandalonin infektimin e kafshëve të tjera të egra.

Autoritetet e mbyllën Rezervatin Natyror Hula për vizitorët për shkak të shpërthimit të epidemisë. Viruset e gripit të shpendëve prekin zakonisht shpendët migrues ujor të cilët priren të mos shfaqin simptoma. Mediat izraelite raportuan se më shumë se gjysmë milioni pula po asgjësoheshin në fermën Moshav Margaliot në një përpjekje për të frenuar shpërthimin dhe për të minimizuar rrezikun për njerëzit. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!