Izraeli po i rikthehet jetës normale në një moment që më shumë se 50 për qind e popullsisë ka marrë të dy dozat e vaksinës Pfizer. Në muajin maj do të nisë vaksinimi masiv i fëmijëve të moshës nga 12 në 15 vjeç, të cilët përbëjnë dhe 30 për qind të popullsisë në vend.
Të dhënat e reja të publikuara nga ministria izraelite e shëndetësisë javët e fundit, konfirmuan efikasitet prej 97% në parandalimin e infektimeve, në mundësinë e sëmundjes së rëndë në rast infektimi si dhe të vdekshmërisë.
Falë të dhënave inkurajuese të fushatës së vaksinimit, vijojnë ndërkohë hapjet në vend. Hotele, palestra, stadiume, salla eventesh, vende të kulturës dhe restorante i janë rikthyer aktiviteteve. Por gjithsesi duhet një lejekalimi e gjelbër për të qenë në hapësirat e mbyllura: pra duhet të jesh i imunizuar ose i vaksinuar.
Për herë të parë që nga muaji shtator në vend nuk ka asnjë zonë të kuqe. Janë eliminuar masat që ndalojnë grumbullimet e përgjithshme – të vaksinuar ose jo dhe i gjithë sistemi shkollor është aktiv. Ndryshe nga një vit më parë izraelitët po i festojnë në shtëpi Pashkët.
Shtrimet e rasteve të rënda në spital shënojnë një ulje drastike, njësoj si dhe infektimet e reja ditore – nga 6 mijë në 1 janar në 490 në 1 prill. Javën e ardhshme qeveria do të diskutojë për anulimin e detyrimit të mbajtjes së maskës – të paktën në ambient të hapur./abcnews.al