Izraeli ndalon me ligj ndarjen e Jeruzalemit

schedule12:03 - 3 Janar, 2018

schedule 12:03 - 3 Janar, 2018

Parlamenti izraelit ka miratuar më 2 janar një ligj që synon të pengojë ndarjen e Jeruzalemit e njëkohësisht të vështirësojë kalimin nën varësinë palestineze të disa zonave të qytetit të shenjtë, në rast bisedimesh për një marrëveshje të ardhme paqeje.

Më pak se një muaj nga njohja që i bëri presidenti amerikan Donald Trump Jeruzalemit, si kryeqytet i shtetit hebre, Izraeli merr masat që ta vështirësojë një ndarje territoriale të qytetit të shenjtë.
Një projektligj që kaloi më 2 janar në Parlamentin Izraelit, Knesset, parashikon një shumicë të caktuar, nëse do kërkohet që pjesë të Jeruzalemit t’i jepen një entiteti të huaj, thuhet në projektligj. Pra nuk do mjaftojnë 61, por do duhen votat e 80 deputetëve, nga 120 që ka Knesseti, për të miratuar një transferim territori tek palestinezët, në rast të një marrëveshjeje paqeje.

Ky propozim që mori votat pro të 64 deputetëve, 54 kundër dhe 1 abstenim, në fakt ishte një amendim i Ligjit bazë mbi Jeruzalemin. Ai ligj i miratuar në 1980-n, e konsideronte qytetin e shenjtë, si njësi tërësore e të unifikuar, si kryeqytet i Izraelit. Por Komuniteti ndërkombëtar nuk e ka njohur asnjëherë si të tillë jeruzalemin, e nuk ka njohur as aneksimin e pjesës lindore të tij, në qershor të 1967.

Koalicioni i djathtë në qeverisje në Izrael, që e mbështeti këtë projektligj, po bën gjithçka për ta bërë të paprekshëm unifikimin e vitit 1967, duke garantuar një sovranitet vetëm të Izraelit mbi Jeruzalemin. “Ne shpëtuam unitetin e Jeruzalemit”, ka deklaruar pas votimit ministri i arsimit, Naftali Bennet, kryetar i Vatrës hebreje, një parti sioniste fetare.
Aktivistë të të drejtave të njeriut e studiues vendas bien dakord, se në rast nisjeje të një procesi të bisedimeve për paqen, i ngecur që në vitin 2014, ky amendim ligjor rrezikon të komplikojë një marrëveshje të mundshme mes Izraelit e Palestinezëve.

Opozita njëlloj si drejtuesit palestinezë, e konsiderojnë amendimin e ligjit për Jeruzalemin “Një kërcënim”, por edhe “një mundësi”, shprehet analisti izraelit Ofer Zalzberg, i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, pasi gjithçka varet nga kush qeveris. “Nëse ministri për çështjet e Jeruzaemit Zeev Elkin vendos të ndryshojë kufijtë e Jeruzalemit, palestinezët që banojnë aty, do gjenden pa statusin e rezidentit, e nuk do përfitojnë dot më nga sherbimet e bashkisë. Për pasojë situata në lagjet e përjashtuara do degradonte me shpejtësi. Nga ana tjetër, nëse opozita do vinte një ditë në pushtet, ajo do e shfrytëzonte këtë element të amendimit ligjor, për negociata mbi paqen, për të përcaktuar konturet e kryeqytetit të një shteti të ardhshëm palestinez, thekson analisti izraelit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!