Izraeli miraton ligjin që mundëson dëbimin e familjeve të sulmuesve palestinezë

schedule09:02 - 7 Nëntor, 2024

schedule 09:02 - 7 Nëntor, 2024

Parlamenti i Izraelit e ka kaluar një ligj mëngjesin e së enjtes, i cili mundëson dëbimin e familjarëve të sulmuesve palestinezë, përfshirë edhe të shtetasve të vendit.

Sipas këtij ligji, ata do të dëboheshin në Gazën e rrënuar nga lufta, ose në vende të tjera.

Ligji, i cili u shty përpara nga anëtarët e partisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleatët e tij të ekstremit të djathtë, kaloi me 61 vota për dhe 41 kundër.

Megjithatë, ai pritet të sfidohet në gjykatë.

Ligji do të vlente për qytetarët palestinezë të Izraelit dhe për banorët e Jerusalemit të aneksuar lindor, të cilët do të ishin në dijeni paraprakisht për sulmet e anëtarëve të familjes, apo të cilët “shprehin mbështetje apo identifikohen me akte terroriste”.

Ata do të dëboheshin qoftë në Gazë, apo në vende të tjera, për një kohë prej 7 deri në 20 vjet.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – është duke vazhduar në Gazë, ku janë vrarë dhjetëra mijëra palestinezë dhe ku shumica e popullsisë është zhvendosur shumë herë brenda vendit.

Nuk është e qartë nëse ligji do të vlente për Bregun e uzurpuar Perëndimor, ku Izraeli e zbaton një politikë të kamotshme për shkatërrimin e shtëpive familjare të sulmuesve.

Palestinezët kanë kryer sulme me thikë, me të shtëna dhe me vetura kundër izraelitëve në vitet e fundit.

Eran Shamir-Borer, hulumtues në Institutin Demokratik të Izraelit dhe ish-ekspert ligjor ndërkombëtar për ushtrinë izraelite, tha se nëse ky ligj dërgohet në Gjykatën Supreme, gjasat janë që ai të rrëzohet, bazuar në rastet e kaluara izraelite në lidhje me dëbimin.

“Çështja kryesore është se ky ligj është plotësisht jokushtetuese dhe bie ndesh me vlerat themelore të Izraelit”, tha Shamir-Borer.

Izraeli i pushtoi Bregun Perëndimor, së bashku me Gazën dhe Jerusalemin Lindor gjatë Luftës të Lindjes së Mesme më 1967. Palestinezët duan që këto tri territore të jenë pjesë e shtetit të tyre në të ardhmen.

Ai u tërhoq nga Gaza më 2005, por rimori nën kontroll pjesë të saj prej se Hamasi e kreu një sulm në Izrael më 7 tetor 2023, i cili edhe e nxiti luftën.

Aneksimi i Jerusalemit lindor nga Izraeli nuk njihet nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare. Palestinezët në këtë vend kanë lejeqëndrimi të përhershme dhe lejohen të aplikojnë për shtetësi, por shumica s’e bëjnë, ndërsa ata që e bëjnë, përballen me shumë pengesa.

Palestinezët që jetojnë në Izraeli e përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë së Izraelit.

Ata kanë shtetësi dhe të drejtë vote, por përballen me diskriminim të madh. Shumica prej tyre kanë gjithashtu lidhje familjare me ata që jetojnë në territoret e tjera dhe shumica e përqafojnë kauzën palestineze./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!