Izraeli lejon Egjiptin të dërgojë ndihma humanitare në Gaza

schedule22:23 - 18 Tetor, 2023

schedule 22:23 - 18 Tetor, 2023

Izraeli njoftoi sot se do të lejojë që ndihma humanitare të hyjë në Rripin e Gazës nga Egjipti, ndërsa vendosi një rrethim të ngushtë në enklavën palestineze që është goditur që nga një sulm i përgjakshëm nga Hamasi më 7 tetor.

“Izraeli nuk do të bllokojë ndihmën humanitare nga Egjipti kur bëhet fjalë për ushqim, ujë dhe ilaçe për civilët në pjesën jugore të Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. “Çdo furnizim që arrin Hamasin do të neutralizohet.”

“Një zhvillim pozitiv, të cilin ne e kemi kërkuar që nga fillimi i konfliktit,” tha sot ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry në një intervistë me rrjetin televiziv Saudit Al-Arabiya.

Megjithatë, transferimi i ndihmës “kërkon organizim”, theksoi Soukry. Ai i shpjegoi rrjetit Al-Ghad me bazë në Kajro se rruga që lejonte transportin e ndihmave midis Gazës dhe kalimit Rafah u shkatërrua pas bombardimeve izraelite në anën palestineze të kufirit.

Në Sinai të Egjiptit, kamionë me ndihma janë bllokuar prej ditësh në zonën përreth terminalit, i cili është ende i mbyllur, sipas dëshmitarëve okularë.

Dorëzimi i ndihmave humanitare në Gaza, pasi të kalojë kufirin midis Egjiptit dhe enklavës palestineze, duhet të jetë “sistematik”, në rendin e 100 kamionëve në ditë, dhe i sigurt, tha sot për CNN Martin Griffiths, Koordinatori Humanitar i OKB-së.

Izraeli po bombardon enklavën e vogël palestineze prej 2.4 milionë banorësh në përgatitje për një sulm të mundshëm tokësor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!