Izraeli: Irani i ka kaluar vijat e kuqe

schedule20:53 - 27 Shtator, 2021

schedule 20:53 - 27 Shtator, 2021

Në fjalimin e tij të parë para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, tha se Irani i ka kaluar “të gjitha vijat e kuqe” në programin e tij bërthamor dhe u zotua se Izraeli “nuk do ta lejojë” Teheranin që të zhvillojë armë bërthamore.

Duke folur në takimin vjetor të organizatës botërore në Nju Jork, Bennett nuk e përmendi konfliktin e Izraelit me palestinezët, por e portretizoi Iranin si kërcënim për sigurinë globale.

Republika Islamike, viteve të fundit, ka bërë “një hap të madh përpara” në kapacitetin e saj prodhues bërthamor, tha Bennett.

“Programi i armëve bërthamore të Iranit është në një pikë kritike. Të gjitha vijat e kuqe janë kaluar”, shtoi ai.

Bennett, politikan i së djathtës ekstreme, që ka marrë detyrën në qershor, dëshiron që presidenti amerikan, Joe Biden, të forcojë qëndrimin e tij kundër Iranit – armikut rajonal të Izraelit.

Ai i kundërshton përpjekjet e administratës së Bidenit për të ringjallur marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar në vitin 2015, është braktisur nga paraardhësi i Bidenit, Donald Trump, në vitin 2018.

Tërheqja e Trumpit ka çuar në rikthimin e sanksioneve ekonomike kundër Iranit.

Në përgjigje, Irani, i cili thotë se ambiciet e tij bërthamore janë krejtësisht për qëllime civile, ka shkelur shumë nga kufizimet që parasheh marrëveshja.

Gjatë fjalimit të tij, Bennett tha se Irani po përpiqet të “dominojë” Lindjen e Mesme “nën një ombrellë bërthamore” dhe kërkoi përpjekje më të bashkërenduara ndërkombëtare për të ndaluar aktivitetet bërthamore të Republikës Islamike./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!