Forcat izraelite vazhduan e bombardimet e tyre ajrore dhe tokësore në jug të Gazës, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra palestinezë, edhe pse SHBA dhe OKB vazhdimisht i kanë kërkuar të mbrojnë civilët.
I pyetur të hënën në lidhje me numrin në rritje të vdekjeve që nga përfundimi i armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit të premten, aleati më i ngushtë i Izraelit, Shtetet e Bashkuara tha se ishte shumë herët për të thënë nëse Izraeli po bënte mjaftueshëm për të mbrojtur civilët dhe se priste që Izraeli të mos godiste zonat e identifikuara si të sigurta.
Banorët dhe gazetarët në terren thanë se sulmet ajrore intensive izraelite në jug të enklavës bregdetare me popullsi të dendur përfshinin zona ku Izraeli u kishte thënë njerëzve të kërkonin strehim.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres i bëri thirrje Izraelit që të shmangë veprimet e mëtejshme që do ta përkeqësonin situatën tashmë të rëndë humanitare në Gazën e drejtuar nga Hamasi dhe t’i kursente civilët nga vuajtjet.
Izraeli pushtoi kryesisht gjysmën veriore të Gazës në nëntor, dhe që prej rënies së armëpushimit një javor të premten, ata janë futur me shpejtësi në gjysmën jugore.
Izraeli nisi sulmin e tij për të zhdukur Hamasin si hakmarrje pas sulmit ndërkufitar të 7 tetorit në qytetet kufitare, kibuci dhe në një festival muzikor. Militantët e Hamasit vranë 1200 njerëz dhe kapën 240 pengje, sipas të dhënave izraelite, dita e vetme më vdekjeprurëse në historinë 75-vjeçare të Izraelit./abcnews.al