Izraeli i bën thirrje Rusisë të dëbojë delegacionin e Hamasit në Moskë

schedule21:10 - 26 Tetor, 2023

schedule 21:10 - 26 Tetor, 2023

Izraeli ka reaguar menjëherë pas lajmit të vizitës në Moskë nga delegacioni i Hamasit dhe Iranit. Qeveria izraelite të mërkurën i bëri thirrje Rusisë që të dëbojë delegacionin e Hamasit, duke thënë se ftesa e saj në kryeqytetin rus është “për të ardhur keq”.

“Hamasi është një organizatë terroriste më e keqe se Shteti Islamik. Në duart e zyrtarëve të lartë të Hamasit ka gjakun e më shumë se 1400 izraelitëve të masakruar, vrarë, ekzekutuar dhe djegur. Zyrtarët e Hamasit janë përgjegjës për rrëmbimin e më shumë se 220 izraelitëve mes tyre foshnja, fëmijë, gra dhe të moshuar”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme izraelite.

Moska: Ne po negociojmë lirimin e pengjeve

Kremlini tha se po diskutohet lirimi i pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Gaza, sipas një deklarate të lëshuar më herët nga Ministria e Jashtme ruse.

Delegacione nga Hamasi, si dhe nga Irani, udhëtuan të enjten në Moskë, ku po zhvillohen bisedimet për një zgjidhje të mundshme të krizës me Izraelin.

Siç thuhet nga Ministria e Jashtme ruse, Moska i kërkoi Abu Marzouk, një anëtar i krahut politik të Hamasit, të lirojë pengjet dhe të evakuojë qytetarët me pasaporta ruse nga zona.

Zëvendësministri iranian bisedoi me homologun e tij rus Mikhail Bogdanov dhe diskutuan “përshkallëzimin e paprecedentë të konfliktit izraelito-palestinez”, sipas Ministrisë së Jashtme ruse. “Nevoja për të ndaluar armiqësitë në dhe rreth Rripit të Gazës dhe për të ofruar shpejt ndihmë humanitare për popullsinë e prekur palestineze është rikonfirmuar.”

“Moska dhe Teherani mbeten të vendosur për të vazhduar koordinimin e ngushtë të përpjekjeve që synojnë stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme”, shtoi diplomacia ruse.

Të martën, Kremlini tha se nuk ishte bërë përparim në lirimin e pengjeve rusë të rrëmbyer nga Hamasi, madje duke pranuar se nuk e dinte se sa ishin.

Diplomacia ruse më parë tha se të paktën 20 ruso-izraelitë u vranë dhe dy u rrëmbyen gjatë sulmeve të Hamasit të 7 tetorit.

Qindra qytetarë rusë jetojnë gjithashtu në Rripin e Gazës, i cili është objektiv i bombardimeve izraelite.

Rusia, ndryshe nga SHBA, nuk e konsideron Hamasin një organizatë terroriste dhe ka mbajtur gjithmonë marrëdhënie me të.

Ndërsa Moska dënoi sulmet e 7 tetorit ndaj civilëve izraelitë, ajo gjithashtu këmbëngul në nevojën e një shteti palestinez për t’i dhënë fund konfliktit dhe paralajmëroi Izraelin për pasojat e një sulmi vrasës pa dallim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!