Eksperti i çështjeve ndërkombëtare, Ledion Krisafi e cilësoi operacionin e ditëve të fundit të Izraelit kundër Hezbollahut në Liban si të jashtëzakonshëm. Në një intervistë për “Faqja 4”, ai tha se Izraeli po përpiqet që të largojë grupin e mbështetur nga Irani 30 km nga kufiri i tij, siç e parashikon rezoluta e OKB.
“Ajo që ka bërë Izraeli në dy javët e fundit është e jashtëzakonshme dhe tregon nivelin e jashtëzakonshëm të inteligjencës. Ajo që po mundohet të bëjë lidhet me përfundimin e luftës së 2006, që mbaroi me barazim dhe asnjëra palë nuk fitoi. Dhe në fund kishte një rezolutë të OKB-së, ku kërkohej që Hezbollahu duhet të largohej 30 km nga kufiri me Izraelin. Praktikisht kjo është ajo që është duke bërë Izraeli për ta shtyrë 30 km më tutje. Kjo do të thotë se Hezbollahu do ta ketë më të vështirë të godasë dhe kërcënojë fshatrat dhe qytetet e Izraelit dhe qytetarët që kanë ikur nga shtëpitë e tyre do të rikthehen përsëri.”, u shpreh eksperti.
Sipas tij, Hezbollahu gjendet në vështirësi dhe se tani me eliminimin e kupolës drejtuese nuk do të mund të kryejë sulme të tilla ndaj Izraelit.
“Për këtë arsye, Izraeli gjeti një strategji tjetër duke eliminuar të gjithë kupolën drejtuese të Hezbollahut. Hoqi nga fusha e betejës disa militantë dhe në momentin që eliminon kupolën drejtuese, e kanë më të vështirë të përgjigjen. Dy javët e fundit, Hezbollahu e ka pasur të vështirë t’i përgjigjet Izraelit dhe raketat që ka hedhur në Izrael nuk kanë qenë precize. Edhe vetë Hezbollahu gjendet në vështirësi, e ka të vështirë t’i përgjigjet një sulmi të tillë që ka bërë Izraeli. Kësaj radhe Izraeli do të sillet ndryshe, do të jetë një ndërhyrje tokësore më precize duke qenë se ka inteligjencë të lartë.”, shtoi eksperti./abcnews.al