Izraeli godet Libanin Jugor, vritet një zyrtar i Fatah

schedule15:39 - 21 Gusht, 2024

schedule 15:39 - 21 Gusht, 2024

Bisedimet për arritjen e armëpushimit dhe lirimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit janë “në prag të kolapsit”. Kështu raporton revista prestigjioze Politico në një artikull të sajën ku citon dy zyrtarë të lartë amerikan.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara vijojnë të shfaqin optimizëm, zyrtarët amerikanë thanë se përpjekjet për të sjellë Hamasin në bordin e propozimit të fundit, të mbështetur publikisht nga Izraeli, deri më tani kanë qenë të pafrytshme.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë ndjehen të frustruar nga retorika e ashpër e grupit ekstremist. Politico bën me dije se e gjithë ky fakt “i ka bërë zyrtarët amerikanë të shqetësohen gjithnjë e më shumë, duke vazhduar të shohin Hamasin dhe Izraelin në mosmarrëveshje dhe pa një rrugë të qartë për t’i dhënë fund luftimeve ose për të sjellë pengjet në shtëpi”.

Ndërkohë, fakte tronditëse vijnë nga Hamasi, të cilët kanë kërcënuar të afërmit e izraelitëve duke përdorur celularët e pengjeve. “Luftoni qeverinë ose humbni të dashurit tuaj”, “Nëse nuk luftoni kundër qeverisë, nuk do t’i shihni të dashurit tuaj të kthehen”, janë disa nga këto mesazhe. Gjithashtu sipas mediave izraelite rezulton se grupi terrorist dërgoi kërkesa për shpërblim, duke pretenduar se pa pagesë familjet e pengjeve nuk do të merrnin informacion për të dashurit e tyre.

Sakaq, një sulm izraelit në pjesën jugore të Libanit vrau një zyrtar të Fatahut.

Kjo është bërë e ditur nga burime palestineze, duke shpjeguar se ky është sulmi i parë i këtij lloji i raportuar nga Fatah në mbi 10 muaj përleshje ndërkufitare. “Sulmi izraelit në Sidon vrau udhëheqësin e grupit”, tha një anëtar i lartë i lëvizjes së presidentit palestinez, citon AFP.

/abcnews.al