Një delegacion i nivelit të lartë nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbërriti në Izrael për vizitën e parë zyrtare që kur të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje paqeje muajin e kaluar.
Në kuadër të kësaj vizite këtë të martë është bërë i mundur nënshkrimi i një sërë marrëveshjesh dypalëshe, ndër të cilat edhe një marrëveshje për heqjen e vizave.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, ka mirëpritur delegacionin e Emirateve, duke thënë se sot po bëjmë histori.
“Entuziazmi për këtë marrëveshje paqeje mes popujve tanë është i jashtëzakonshëm. Është i vërtetë, është i gjerë, është i thellë dhe reflekton potencialin që u arrit sot”, është shprehur ai.
Njëra prej marrëveshjeve thotë se izraelitët nuk do të kenë më nevojë për vizë për të vizituar Emiratet, ndërsa shtetasit e Emirateve të Bashkuara Arabe mund të vizitojnë gjithashtu lirisht Izraelin.
Ndërsa pritet që fluturimet e drejtpërdrejta të rifillojnë deri në janar, industria izraelite e turizmit, e cila është dëmtuar më shumë nga COVID-19, shpreson që 250 mijë njerëz nga Emiratet ta vizitojnë brenda një viti. Disa kompani turistike izraelite po reklamojnë që tani udhëtime drejt Abu Dhabit dhe Dubait.
Gjithashtu dy vendet inauguruan një fond trepalësh prej 3 miliardë dollarësh mes Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shteteve të Bashkuara, për të inkurajuar investimet.
Për Netanyahu, vizita e shkurtër e delegacionit të Emirateve të Bashkuara Arabe ishte një pauzë e mirëpritur larg telasheve të tij elektorale. Popullariteti i tij ka rënë mes kritikave për menaxhimin e pandemisë dhe gjyqit ndaj tij me disa akuza korrupsioni, i cili pritet të fillojë në janar.
Presidenti Trump gjithashtu shpreson që marrëveshja, e cila u nënshkrua muajin e kaluar në Uashington, do ta ndihmojë gjatë fushatës elektorale. Sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se marrëveshjet mund të transformojnë Lindjen e Mesme.
Për shkak të COVID-19, delegacioni qëndroi brenda zonës së aeroportit. Kryeministri izraelit Netanyahu i ftoi të rikthehen për një udhëtim turistik, kur të ketë kaluar pandemia.e.su./abcnews.al