Izraeli akuzohet për vrasjen e liderit të një grupi militant palestinez

schedule12:19 - 19 Mars, 2023

schedule 12:19 - 19 Mars, 2023

Një komandant i grupit militant palestinez Xhihadi Islamik u vra të dielën në Siri. Anëtarët e grupit deklaruan se ky ishte një atentat nga agjentët izraelitë.

Brigadat Al-Quds, krahu ushtarak i grupit të Xhihadit Islamik, tha në një deklaratë se “Ali Ramzi al-Aswad, 31 vjeç, u vra të dielën në mëngjes në fshatin e Damaskut në një vrasje frikacake që mbanë gjurmët e armikut sionist”, duke iu referuar Izraelit.

Nuk kishte asnjë deklaratë të menjëhershme nga Izraeli për vrasjen e supozuar të së dielës.

Xhihadi Islamik tha në një deklaratë se familja e Aswad ishte zhvendosur nga qyteti i Haifës në vitin 1948 dhe u vendos në kampet e refugjatëve në Siri, ku ai iu bashkua organizatës si i ri.

Në vitin 2019, avionët luftarakë izraelitë qëlluan me raketa shtëpinë e Akram al-Ajouri, një anëtar i udhëheqjes së Xhihadit Islamik që jeton në mërgim. Ajouri nuk u lëndua, por raportohet se nga sulmi mbeti i vrarë djali i tij.

Muajin e kaluar, sulmet ajrore në zonat e banuara në Damask, për të cilat zyrtarët sirianë thanë se vranë të paktën pesë persona, i atribuohen Izraelit. Një zyrtar i Xhihadit Islamik paralajmëroi Izraelin në një deklaratë se “do të kishte një përgjigje vendimtare pa vonesë ndaj çdo tentative për vrasjen e liderëve të rezistencës”.

Izraeli ka kryer qindra sulme në objektiva brenda territorëve të kontrolluara nga qeveria e Sirisë në vitet e fundit, duke përfshirë sulmet në aeroportet e Damaskut dhe Alepos, por rrallëherë i pranon ose diskuton operacionet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!