Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të hënën se kishte anuluar vendimin për shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant. Kreu i qeverisë izraelite përmendi krizën e përshkallëzuar të sigurisë në vend si arsye për ndryshimin e këtij qëndrimi, raportojnë mediat e huaja.
“Vendosa të lë pas nesh dallimet që kishim,” tha kryeministri izraelit. “Gallant mbetet në pozicionin e tij dhe ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për sigurinë e qytetarëve të Izraelit”. Gallant e përshëndeti lëvizjen e Netanyahut, duke postuar në rrjetet sociale një foto të tij me kryeministrin dhe mesazhin:
“Ne vazhdojmë së bashku me fuqi të plotë për Izraelin”. Kujtojmë që marrja e vendimit për të shkarkuar ministrin shkaktoi protesta të shumta. Ka pasur gjithashtu demonstrata të shumta kundër reformës gjyqësore, për të cilën kritikët thonë se do t’i jepnin legjislativit shumë pushtet mbi gjyqësorin./abcnews.al