Babai i rreshterit 19-vjeçar Adir Tahar, i cili u vra në sulmin e Hamasit në Izrael më 7 tetor, bëri një zbulim tronditës teksa tha në një emision televiziv se anëtarët e organizatës terroriste u përpoqën të shisnin kokën e fëmijës së tij për 10 mijë dollarë.
Zbulimi i babait të 19-vjeçarit është bërë në një program të kanalit izraelit Channel 14, në të cilin ai ka përshkruar atë që ka kaluar derisa mori trupin e djalit për varrim.
“Ata i hodhën një raketë dhe tre granata. Në raportin mjekësor që kam marrë, thuhet se e gjithë trupi i tij ishte me copëza. Fatkeqësisht, trupi i tij u keqtrajtua pas vdekjes së tij. Terroristët ia prenë kokën dhe e morën kokën me vete në Gaza. Kam marrë një kufomë pa kokë dhe kam luftuar me përfaqësuesit e ushtrisë që më thanë se nuk duhet ta shoh. Gjysmë ore para varrimit hapa arkivolin, shikova brenda dhe kuptova se çfarë do të varrosja. Më thanë se nuk duhet ta shihja, por unë jam tipi i babait që dëshiron të dijë gjithçka për fëmijët e tij”, tha babai i 19-vjeçarit.
Më pas ai tha se për dy muaj e gjysmë ka bërë gjithçka për të gjetur kokën e djalit të tij.
“Të gjithë ata që takova gjatë gjithë kësaj kohe, i pyeta për kokën dhe më në fund kuptova se ku ishte”, shtoi ai. Siç shpjegoi David Tahar, gjatë gjithë kësaj kohe ai shikoi sa më shumë filmime të masakrës së 7 tetorit , derisa më në fund vuri re pamjet e prerjes së kokës së djalit të tij./abcnews.al

