Kryetari i Partisë së Veprimit Demokratike, partisë kryesore të boshnjakëve në Bosnjë Hercegovinë, Bakir Izetbegovic, deklaroi se nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë të gjithë radarët do të drejtohen nga kjo ish republikë jugosllave, që vazhdon të jetë shembull tipik i një shteti jofunksional.
Në intervistën dhënë Zërit të Amerikës, kreu i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq, duke folur për epilogun e mundshëm të bisedimeve Kosovë-Serbi, por edhe për marrëdhëniet e vendit të tij me Kosovën, ka theksuar se të vetmen lidhje që shikon mes Kosovës e Bosnjës është Serbia:
“E vetmja lidhje ndërmjet Kosovës e Bosnjë Hercegovinës është se përafërsisht e njëta palë ka ushtruar dhunë mbi shqiptarët në Kosovë dhe në Bosnjë Hercegovinë mbi boshnjakët dhe kjo duhet të përcaktohet. Nuk mund ta heshtim këtë dhe kur të tërheqim paralele duhet t’ua rikujtojmë këtë. Kjo është kështu. I kanë futur njerëzit në trena, atje në Kosovë dhe u munduan ta boshatisin Kosovën. Të kryenin ekzod. E dimë se çfarë ndodhi në Bosnjë që kulmoi me gjenocid. Duhet ta përcaktojmë këtë. Kjo nuk është krijim i krizave dhe fillim i grindjeve të reja. Problemin e nisin ata, sërish nga Beogradi”– thotë për Zërin e Amerikës, lideri boshnjak Bakir Izetbegoviç.
Duke folur për marrëveshjen eventuale Kosovë-Serbi, ai druan se pas kësaj, në qendër të vëmendjes do të vihet Bosnjë Hercegovina:
“Sigurisht se nëse vendosin të njohin pavarësinë e Kosovës, të gjithë radarët do t’i kthejnë nga Bosnjë Hercegovina. Do të punohet me propagandë që të paktën të zbusin efektet që do të ketë kjo në shoqërinë serbe. Dhe ky do të jetë problem në Serbi, nëse kjo gjë ndodhë e nuk e di nëse ka për të ndodhur. Sigurisht se do të kemi shtrëngatë, zhurmë dhe orekse ndaj Bosnjë Hercegovinës, kurse trysia e Beogradit do të mbështetet edhe nga Banja Luka” – ka deklaruar Izetbegoviq duke vlerësuar se me këtë rast do të testohet edhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar për të ndërmarrë eventualisht edhe hapa të rinj. Megjithatë, ai parashikon se Serbia nuk do t’ia dalë për shkak se, sikurse shprehet, bota është garante e Marrëveshjes së Dejtonit.
Pavarësisht përplasjeve ndëretnike dhe diagnozës ndërkombëtare për Bosnjë Hercegovinës si shtet jofunksional, kreu i Partisë së Veprimit Demokratik është treguar optimist se deri në vitin 2026 vendi i tij do të jetë anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian. /abcnews.al