Në fjalimin e tij të fundvitit, Presidenti i Maqedonisë Ivanov u shpreh se vendi po linte pas një vit të karakterizuar nga kriza e thellë politike ku partitë shohin njëra tjetrën si armike. Ndër të tjera ai përmendi dhe platformën e Tiranës e cila sipas tij u shndërrua në një krizë kushtetuese.
Presidenti i Maqedonisë, Ivanov, mbajti fjalimin e vjetor në Kuvend, duke e cilësuar 2017-ën si një vit me probleme dhe krizë të thellë politike.
Ai shtoi se në fjalimin e tij të parë me këtë përbërje të re parlamentare, shihte si shumë shqetësues dhe dëshpërues faktin se partitë politike e shohin njëra tjetrën si armike të përbetuar.
Në linjë të këtij mendimi Ivanov përmendi dhe platformën e Tiranës për të cilën tha se u shndërrua në një krizë kushtetuese. Ai theksoi se kishte dhënë mandatin vetëm pasi u dhanë garanci me shkrim, për mbrojtjen e integritetit të vendit. Por kriza e gjatë politike u reflektua edhe në ekonomi, duke bërë që vendi aktualisht të renditet i fundit në rajon në këtë fushë.
Presidenti maqedonas bëri apel që liderët e pushtetit dhe opozitës të kenë komunikim në interes të qytetarëve dhe shtetit dhe të punojmë në kthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
Duke nënvizuar se Bashkimi Europian po kërkon reforma nga Shkupi, ai tha se vendi duhet të fillojë të meritojë negociatat për anëtarësim. Ivanov tha se 2018 është një shans historik për atë që ka nisur me anëtarësimin në NATO.
As Kosova nuk mbeti jashtë fjalimit të presidentit maqedonas i cili kritikoi kritikoi qeverinë në Prishtinë për shumën e parave që ndau për familjarët e grupit të Kumanovës.
Në fjalimin e Ivanovit, morën pjesë edhe deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, përfaqësues të trupit diplomatik, kryeministri Zoran Zaev, përfaqësues të Qeverisë, të institucioneve gjyqësore, bashkësive fetare si dhe kryetari i sapozgjedhur i VMRO-DPMNE-së, Kristian Mickoski./abcnews.al