Ivan Gvozdenoviç është lojtari e trajneri serb prej 7 vitesh në Shqipëri

schedule19:32 - 19 Tetor, 2017

schedule 19:32 - 19 Tetor, 2017

Prej 7 vitesh në Shqipëri vazhdon karrierën një lojtar dhe trajner serb. Ivan Gvozdenoviç ndihet I lumtur në vendin tonë dhe është një shembull sesi sporti I afron kombet.

lojtari, serb

Futbolli i kapërcen kufijtë.

Partizani i Beogradit, rivali i herës për Skënderbeun, e tregon këtë fare qartë.

Më i miri i të gjitha kohëve për klubin serb është një kroat, Stjepan Bobek.

Kampion si futbollist, kampion si trajner, dhe rekordmen I golave të shënuar me mbi 400 të tillë.

Në vitet 80-të, po tek Partizani, tifozët serbë brohorisnin një shqiptar, dhe thirrja e tyre ishte “nuk ka tjetër si Fadil Vokrri”.

Në Shqipëri, një historinë e kundërt po e bën Ivan Gvozdenoviç.

Tridhjetenëntëvjeçari ndodhet këtu prej më shumë se 7 vitesh, dhe duket se largimi nuk do të jetë I shpejtë.

Sot, ai është thuajse një shqiptar, duke njohur mirë vendin e njerëzit, si dhe duke folur gjuhën, por si u ndje kur I erdhi oferta për tek Tirana?

“Ishte një ofertë e habitshme për mua. Ishte koha kur po mendoja ta lija futbollin, pasi nuk mundesha të luaja në nivelet e mëparshme dhe kisha vetëm dy mundësi, të lija futbollin e të merresha me diçka tjetër, ose të pranoja të vija në Shqipëri. Unë e dua shumë futbollin, dua të luaj dhe vendosa të vija në Shqipëri. Në fillim m’u duk e vështirë, por sot them se ishte vendimi më i drejtë në karrierë”.

Pas kaq vitesh, si ndihet në Shqipëri?

“Pëlqej edhe ushqimin, edhe klimën. Tirana ka një klimë super, shumica e ditëve është me diell, është ngrohtë, nuk ka dëborë, si dhe je pranë detit. Edhe kuzhina është perfekte”.

Ivani është shumë I lidhur me vendin, sidomos me Tiranën, por çfarë nuk I pëlqen?

“E vetmja gjë që nuk më pëlqen është trafiku, ka shumë bllokim dhe vështirësi në trafik. Po ashtu, Tirana është në ndërtim e sipër, Tirana kurrë nuk fle. Në fund të fundit, Tirana është qytet i madh, kryeqytet, dhe do të ketë edhe trafik. Të pengon, por mund të mësohesh”.

A shikon ai shumë ndryshime mes serbëve dhe shqiptarëve?

“Edhe janë, edhe nuk janë të ngjashëm, kjo është përgjigja më e saktë. Ne jemi ballkanas dhe kemi thuajse mentalitet të njëjtë. Jemi të nxehtë, reagojmë shpejt, mendojmë me zemër, jemi mikpritës. Edhe tek ne, edhe tek ju, nëse njerëzit të pranojnë, atëherë janë me dy deri në vdekje. Ose jemi, ose nuk jemi. Nuk dimë diçka të mesme”.

Një skuadër serbe vjen të ndeshet me një shqiptare, Partizani I Beogradit me Skënderbeun.

Si e mendon, përfundimin Gvozdenoviçi?

“Do të jetë një ndeshje e vërtetë futbolli, jam i sigurt për këtë. Nuk mund të them se kush do të jetë favorit. Të dyja skuadrat kanë cilësi, pasi po të mos kishin nuk do të ishin këtu. Të dy ekipet kanë ambicie për të qenë të paktën në vend të dytë në tabelë, dhe kanë bërë ndeshje të mira. Por, le ta tregojë terreni dhe të fitojë kush të jetë më i zoti, ky është komenti më i mirë”.

Si ish-kapiten I Crvena Zvezdës së Beogradit, a do të jetë kundër Partizanit?

“Unë Partizanin e Beogradit e respektoj si kundërshtar, si ish-rivali im. Kam qenë lojtar dhe kapiten i Zvezdës dhe Partizanin e respektoj. Është një derbi i madh në Serbi, dy ekipet më të mirë, me traditë. Mund të them se i kam fituar shumicën e ndeshjeve ndaj Partizanit. Unë do të jem neutral, dhe atyre u uroj suksese”.

Hera e parafundit që shqiptarët dhe serbët ishte dramatike, me atë që ndodhi në Beograd.

“Kam folur 2-3 herë për këtë dhe në shumicën e rasteve më mirëkuptuan, por një herë ndodhi që u keqkuptova dhe pata problem. Mund të them vetëm se ajo që ndodhi nuk ishte aspak e mirë, veçse nuk kam dëshirë që ta komentoj. Është diçka e së kaluarës. Dua që të shikojmë përpara, të mendojmë për sportin, të mendojmë shëndetshëm. Nuk jam unë njeriu i duhur, apo kompetent për këtë. Le të shikojmë drejt së ardhmes”.

Legjenda të Partizanit të Beogradit kanë qenë kroati Bobek apo shqiptari Vokrri.

Mesa duket sporti dhe futbolli kanë një rol të veçantë.

“Sporti bashkon. Kështu është. Sporti i bashkon njerëzit. Bobek ka qenë tek Partizani, ashtu si Vokrri, ashtu si Prekazi. Kjo është vërtet diçka e bukur me sportin, fenomenale. Nëse do të mendonin të gjithë kështu, si sportistët, do të ishte shumë mirë, dhe do të kishte më pak konflikte, pasi sporti i bashkon njerëzit”.

Si futbollist profesionist, vazhdimisht është larg familjes.

Si e përballon, dhe përse e shoqja dhe djali nuk vijnë në Shqipëri?

“Ky është një minus i madh për mua, një mungesë e madhe për shkak të punës sime. Familja jeton në Beograd, ku kam djalin, gruan. Ata nuk mund të vijnë këtu pasi djali është në shkollë, dhe ka shoqërinë e tij, është mësuar me shkollën, me gjuhën. Gjithsesi, me familjen kam folur dhe kështu e ka puna, pasi unë kam ambicie në futboll. Veçse, është e vështirë, edhe për mua, edhe për ata. E vetmja e mirë është që tani ka fluturime me avion direkt Tiranë-Beograd dhe mund të vijnë më shpesh”.

Ivan Gvozdenoviç lindi në qytetin e vogël minerar të Borit, 45 kg larg Beogradit.

Futbollin e filloi me ekipin e qytetit, pastaj kaloi disa nivele në ish-Jugosllavi, derisa mbërriti tek Crvena Zvezda, ku u shpall dy herë kampion, si dhe shënoi gol edhe në kupat e Europës ndaj Leisterit të Anglisë.

Fitoi dy tituj kampion në Belgjikë me Bryzhin, ndërsa nga viti 2010 është në Shqipëri.

Është shpallur tri herë kampion me Skënderbeun, ndërsa me Tiranën ka fituar Superkupën si lojtar dhe Kupën si ndihmëstrajner, për të kaluar më pas te Kukësi.

Gvozdenoviç ka licencën për trajner profesionist të nivelit Pro, fituar në Tiranë, ndërsa ka miqësi me shumë futbollistë e trajnerë shqiptarë, dhe veçanërisht me sulmuesin kroat Pero Pejiç, I vetmi njeri I huaj I futbollit me më shumë vite në Shqipëri sesa ai.

Jashtë futbollit, Ivanit I pëlqen të vrapojë apo të shëtisë, të rrijë me shokët apo me familjen, si dhe të dëgjojë muzikë.

“T’iu them të drejtën, unë dëgjoj muzikën tonë, muzikën serbe. veçse, kur jam në makinë, kur jam në shtëpi, në apartament, vazhdimisht dëgjoj muzikë shqiptare. Më pëlqen, mjafton të jetë e bukur, edhe pse nuk mund të them emra këngëtarësh. Nga këngëtarët serbë kam pëlqyer dhe pëlqej ende Miroslav Iliçin, Xhinoviç, dëgjoj edhe pop rok, Crvena Jabuka, Bijelo Dugme. Këtë muzikë dëgjoj”.

Ky është Ivan Gvozdenoviç, një serb I kahershëm në Shqipëri.

Shtatë vitet e tij këtu me shumë gjasa do të shtohen, pasi futbolli mund ta mbajë të lidhur edhe për shumë kohë.