Iu publikua video duke pirë lëndë narkotike, çfarë thonë socialistët për kryebashkiakun e tyre

schedule14:38 - 23 Janar, 2020

schedule 14:38 - 23 Janar, 2020

Pas videos së publikuar ku kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla shihet duke pirë lëndë narkotike, duket se socilaistët kanë zgjedhur të distancohen.

Por ajo që bie edhe më shumë në sy është fakti se pavarësisht qëndrimit mohues të Allës dhe faktit se SPAK tashmë i ka nisur hetimet, socialistët janë shprehur se përgjegjësia nuk është kolektive, por individuale.

I pyetur nga gazetarët kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja është shprehur, se PS ka qenë dhe mbetet e qartë për të tilla raste.

“PS është e qartë për vullnetin e saj, që prej momentit kur ka votuar dekriminalizimin, përgjegjësia për këtë çështje është individuale”, tha Manja.

Ndërkohë një tjetër deputet i PS-së, Adnor Shameti tha se nuk e ka parë videon dhe për këtë arsye nuk ka preferuar të japë asnjë koment.

Edhe pse pati shumë këmbëngulje për të marrë një përgjigje duket se Pandeli Majko ka qëndruar stoik duke mos dhënë asnjë koment në lidhje me videon e publikuar.

Pjerin Ndreu një tjetër kryebashkaik i Lezhës nuk ka pranuar të japë asnjë mendim për videon ndërsa u shpreh se PS është familje e madhe dhe nëse video vërtetohet se i përket pikërisht Allës, atëherë do të mbahet një qëndrim.

“Unë skam komente, s’jam në gjendje të jap opinion se kush ishte personi në fjalë. Nuk është etike të jap asnjë lloj opinioni. Nëse është e vërtetë, nuk është dinjitoze.  Është njëlloj si në familje, nëse devijon dikush nga pjestarët e familjes, s’mund të njolloset gjithë familja. Nëse vërtetohet PS mban qëndrimin e vet, s’mund të njolloset nga kjo.”-tha Ndreu.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!