Iu gjetën gjurmë baruti në rroba, avokatja e Fatmir Hoxhajt: Nuk është provë e mjaftueshme

schedule11:30 - 18 Nëntor, 2020

schedule 11:30 - 18 Nëntor, 2020

Avokatja e Fatmir Hoxhajt, të akuzuarit për vrasjen e Ahmet Toskës, Rovena Marku ka deklaruar se klienti i saj ishte në Itali, në momentin që ka marrë vesh që po kërkohej nga policia.

LEXO edhe: Gjykata lë në burg vrasësin e dyshuar të Ahmet Toskës në Fier

Pas seancës gjyqësore, ku Hoxhaj u la në burg, Marku u shpreh se kërkoi një masë më të butë, pasi sipas saj, e vetmja provë që ka prokuroria kundër Hoxhajt, është fakti se në rroba i janë gjetur gjurmë nitrati.

“Unë u caktova kryesisht pasi isha avokate në gatishmëri sot. Për mua, ne kërkuam që të vendosej një masë tjetër më e butë për shkak se sipas mendimit tonë nuk kishte prova që të formulohej dyshimi i arsyeshëm. Ne kërkuam arrest në shtëpi ose detyrim paraqitje.

Nga prokuroria ishin paraqitur kamerat e sigurisë në lagje që ishin marrë nga pika të ndryshme. Kishte disa mbetje nitrati që kishin ngelur në rrobat e të pandehurit.

Vetëm disa grimca nitrati, pa u qartësuar këto, për mendimin tonë nuk përbënin dyshim të arsyeshëm. Vetë i pandehuri ka deklaruar se është i pafajshëm. Ka patur një alibi, por për shkak të ngarkesës së tij emocionale nuk mundi të rendiste këto prova.

Me aq sa dha gjatë kësaj çështje, ai kishte shkuar me bashkëshorten në Itali, kishte marrë dijeni që policia kishte shkuar për kontroll në banesën e tij dhe për këtë arsye u kthye vetë në Shqipëri. Ai është shprehur përgjatë seancës se është vetëdorëzuar“, tha avokatja Marku.

Fatmir Hoxhaj u la sot në burg, vetë ai, para trupës gjyqësore deklaroi se ka fjetur gjumë deri në orën 08.00 ditën e krimit.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!