Moderatorja Ermira Çausholli e nisi puntatën e sotme të “E ardhmja është vajzë” me një mesazh të rëndësishëm, marrë shkas nga ngjarjet e fundit që tronditën vendin. Fati tragjik i familjes Gushi nga Patosi dhe katër viktimat e masakrës së Velipojës kanë tronditur mbarë opinionin publik. Dhe si një nënë, Çausholli transmetoi disa fjalë të fuqishme drejtuar prindërve dhe fëmijëve.
“Java që shkoi la për ne gjurmë të pashlyera të një shqetësimi që do të na ndjekë për një kohë të gjatë. Javën e kaluar katër jetë të pafajshme mbetën rrugëve të Shqipërisë, një djalë tjetër sapo kishte filluar punën mbeti aty dhe la një nënë me kokë mënjanë dhe të gjithëve ne me lot në sy. Cilido nga kolegët e mi që ka fatin të ketë një hapësirë televizive kur komunikon me publikun, e ka për detyrë që sado kohë të kalojë të gjejë mundësinë t’ju japë rëndësi këtyre ngjarjeve.
Nuk e kemi fuqinë që t’i ç’bëjmë, ta ndalojmë kohën dhe ta kthejmë pas dhe të ulim ato armë që u ngritën mbi një djalë të pafajshëm si dhe të ngadalësojmë shpejtësinë të një fëmije të papërgjegjshëm. Por ne kemi fjalën, atë të cilën duhet ta ngremë gjithmonë për të ulur armën, kemi dashurinë njerëzore, atë që duhet të ngremë gjithmonë për të ulur shpejtësinë kur jemi nëpër automjete.
Si nënë, iu drejtohem të gjithë prindërve të kujdesen për bijtë e tyre, të ulin shpejtësinë e mendimit dhe të veprimit, të gazit nëpër makina. Dhe si nënë iu drejtohen bijve, kujdes qofshi djem apo vajza, që të arrini në destinacionin por dhe të lejoni gjithë të tjerët të shkojnë ku janë nisur.”, tha moderatorja. /abcnews.al