Prokurorët italianë po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së padive penale për zyrtarët e shëndetit pasi të afërmit e viktimave të koronavirusit kanë kërkuar drejtësi.
Më shumë se 45 mijë njerëz i janë bashkuar një grupi në FB, të quajtur: NOI Denunceremo- Ne denoncojmë!
Grupi është krijuar nga Luca Fusco, babai i të cilit humbi jetën nga koronavirusi në Bergamo të Italisë, një nga zonat më të goditura nga virusi.
Qëllimi nuk është të shënjestrohen bluzat e bardha, por liderët që nënvlerësuan virusin.
Italia ka regjistruar mbi 25 mijë viktima nga virusi.
“Ky grup ka lindur nga nevoja për drejtësinë dhe të vërtetën, që t’u japim paqen atyre që nuk patën mundësinë as të një varrimi normal për shkak të pandemisë së koronavirusit,” thuhet në faqen e grupit.
“Kur gjithçka të mbarojë, kushdo që bëri gabime dhe ktheu kokën në anën tjetër, duhet të paguajë. Ne denoncojmë dhe kërkojmë drejtësi”.
Prokurorët në Lombardi po hetojnë gjithashtu krimet e mundshme të neglizhencës dhe vrasjes pas qindra viktimave në azile.
Tashmë ka filluar një hetim zyrtar në një spital në Alzano Lombardo në Bergamo – ku simptomat e koronavirusit nuk u njohën dhe sëmundja u përhap në spital dhe më gjerë. /abcnews.al

